Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit të bëra ndaj magjistratit Asim Vokshi, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe denigruese.
Në reagimin e saj, Shoqata shprehet se akuzat publike se Vokshi ka shërbyer si “informator” apo “agjent i shërbimeve sekrete” janë sulme që cënojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin e tij profesional.
Deklarata e plotë e Shoqatës së Gjyqtarëve:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë deklarimet dhe publikimet e fundit në media vizive, të shkruara dhe elektronike, që kanë pasur në fokus kandidimin e magjistratit z. Asim Vokshi në pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. Këto publikime kanë marrë formën e sulmeve personale, të cilat kanë tejkaluar kufijtë e kritikës së lejueshme dhe janë shndërruar në denigrime që cënojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.
Shoqata vlerëson rolin themelor që ushtron media në një shoqëri demokratike, si garantuese e transparencës dhe përgjegjshmërisë publike. Liria e shprehjes dhe shpërndarjes së informacionit, të parashikuara në nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe nenet 22 e 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përbëjnë baza të pandashme të shtetit të së drejtës.
Megjithatë, ushtrimi i këtyre lirive duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, etike dhe në respekt të së vërtetës, në mënyrë që media të mos shndërrohet në mjet presioni apo në instrument për cënimin dhe denigrimin e figurës së magjistratëve.
Shoqata thekson se liria e medias nuk mund të përdoret për të justifikuar presione publike, nxitje përbuzjeje apo cënim të dinjitetit njerëzor dhe institucional të magjistratit, sidomos në procese kandidimi me rëndësi dhe ndikim të madh publik.
Denigrimet personale dhe përpjekjet mediatike për delegjitimimin e proceseve të kandidimit të magjistratëve bien ndesh me standardet profesionale të gazetarisë, parimet e etikës publike dhe detyrimin për respektimin e dinjitetit njerëzor, që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kalimi i këtyre kufijve përbën abuzim me të drejtat e garantuara dhe cënon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, për të cilin magjistratët me punën e tyre të përditshme luftojnë ta fitojnë.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të medias televizive, të shkruar dhe elektronike që, në ushtrimin e profesionit të tyre, të udhëhiqen nga parimet e mirëbesimit, etika profesionale dhe deontologjia gazetareske.
Ritheksojmë se respektimi i dinjitetit të magjistratëve është kusht themelor për ushtrimin e pavarur të pushtetit gjyqësor dhe për ruajtjen e forcimin e besimit të publikut në drejtësi.
Ky qëndrim publik nuk duhet interpretuar si tentativë për krijimin e mureve të komunikimit apo kufizim të bashkëpunimit me median. Përkundrazi, Shoqata rithekson gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim ndërinstitucional, në funksion të një komunikimi të ndershëm dhe profesional që reflekton rolin dhe përgjegjësinë e gjyqësorit në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe parimeve të demokracisë.

