Policia e Krujës ka konfirmuar gjetjen e një automjeti të djegur në fshatin Halil, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit të ndodhur këtë të martë pranë aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (i njohur si Sheqeri), agjent i AMP-së.

Sipas njoftimit zyrtar, brenda automjetit tip “Toyota” janë gjetur katër armë zjarri, që dyshohet se u përdorën gjatë ekzekutimit.

“Gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, u konstatua duke u djegur një automjet tip ‘Toyota’, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes. Në automjet u gjetën katër armë zjarri, të cilat janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore,” njofton Policia.

Forcat hetimore janë ende në terren, ndërsa hetimet po drejtohen nga Prokuroria, e cila po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motivit të sulmit. Pista kryesore lidhet me konfliktet mes grupeve kriminale.

Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala e ka cilësuar atentatin si një ekzekutim të mirëorganizuar, të kryer nga persona profesionistë. Ajo theksoi se krimi ndodhi në një nga zonat më të sigurta të vendit, vetëm pak metra larg komisariatit të Rinasit dhe shumë pranë hyrjes VIP të aeroportit.

“Autorët nuk kanë qenë amatorë. Kanë goditur në një zonë të frekuentuar dhe nën mbikëqyrje policore. Edhe reagimi i forcave të policisë pas ngjarjes ngre shumë pikëpyetje,” tha Lala.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *