Gazetarja e njohur e kronikës së zezë, Klodiana Lala, ka reaguar pas atentatit të ndodhur mesditën e së martës pranë aeroportit të Rinasit, duke e cilësuar ngjarjen si një nga më të mirëorganizuarat e viteve të fundit.

Në një postim në rrjetet sociale, Lala shprehet se përfshirja e një agjenti të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në shoqërinë e një personi me precedentë penalë, si Gilmando Dani, është një “këmbanë alarmi” për institucionet ligjzbatuese.

Sipas saj, Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri” dhe një prej të plagosurve në atentat, është rekrutuar në AMP pa ndjekur procedurat e rregullta ligjore, me një kontratë të përkohshme të firmosur në muajin shtator.

Lala kujton gjithashtu se në të njëjtën periudhë, kryeministri Edi Rama kishte shkarkuar nga detyra drejtuesin e atëhershëm të AMP-së, Florian Sulejmani, pas një debati për largimin e një punonjësi të agjencisë në Vlorë. Pas këtij vendimi, drejtimin e përkohshëm të AMP-së e mori zëvendësdrejtori Artjol Saliasi.

Sipas gazetares, gjatë drejtimit të përkohshëm të Saliasit, janë punësuar disa agjentë me kontrata të përkohshme, përfshirë edhe Shaljanin, pa asnjë procedurë të dokumentuar. Kontrata e tij pritej të skadonte në fund të këtij muaji.

Megjithë mënyrën e dyshimtë të rekrutimit, Shaljani kishte arritur të siguronte edhe certifikatën e sigurisë, një proces ku përfshihen institucione si AKSIK – çka, sipas Lalës, kërkon hetim të menjëhershëm. Ajo thekson se pavarësisht se Shaljani ka zaptuar hapësira publike në Tiranë për ndërtimin e një hoteli, asnjë institucion nuk ka reaguar.

Gazetarja shton se gjatë periudhës kur AMP drejtohej nga figura të panjohura për publikun, janë punësuar edhe agjentë të tjerë me status të dyshimtë, duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucionit që ka për detyrë të mbikëqyrë Policinë e Shtetit.

Aktualisht, në krye të AMP-së ndodhet Eduart Merkaj, një oficer karriere, i cili ka urdhëruar verifikimin e plotë të të gjithë punonjësve të agjencisë, përfshirë edhe Shaljanin. Sipas Lalës, kjo procedurë është vonuar dhe duhej të ishte ndërmarrë shumë më herët.

Në përfundim të reagimit të saj, Klodiana Lala thekson se pastrimi i AMP-së është thelbësor për garantimin e integritetit të Policisë së Shtetit:

“Nëse AMP nuk pastrohet nga agjentët e lidhur me krimin apo të korruptuarit, nuk mund të pastrohen as radhët e Policisë së Shtetit,” – shkruan ajo.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *