Dhjetë ditë pas plagosjes dhe rrëmbimit të shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, në veri të vendit, ende nuk ka pasur asnjë reagim nga Bashkimi Evropian apo nga institucionet e tjera ndërkombëtare.

Avokati i familjes, Ivan Niniq, e ka quajtur incidentin “Banjska 2”, duke akuzuar forcat serbe të sigurisë për përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe për përpjekje për ta fshehur të vërtetën.

“Të paktën 23 gëzhoja u gjetën pranë makinës së Milanit. Ai u qëllua në një pritë dhe është mrekulli që mbeti gjallë. Ky është krim shtetëror që po tentohet të mbulohet. Edhe pse po marr kërcënime, nuk do të ndalem derisa fajtorët të dalin para drejtësisë”, deklaroi Niniq për gazetën Koha.

Sipas tij, Vukashinoviqi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, me një plumb ende të pashkëputur nga shtylla kurrizore, ndërsa familja nuk lejohet as ta vizitojë spitalin ku po trajtohet.

Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë konfirmuar se përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse në Beograd janë përpjekur disa herë ta vizitojnë, por janë penguar nga autoritetet serbe, të cilat kanë dhënë vetëm njoftime të përgjithshme për trajtimin e tij intensiv.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar incidentin si “shkelje të rëndë të paqes dhe akt provokues nga Serbia”.

“Ky është krim dhe tentativë vrasjeje ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Edhe sikur të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, mbetet provokim i rëndë për paqen dhe stabilitetin rajonal”, u shpreh Osmani.

Megjithatë, përveç reagimit të presidentes, heshtja mbetet dominuese: as Bashkimi Evropian, as Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, as shoqëria civile në veri, e as autoritetet serbe nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim zyrtar për rastin që po trondit opinionin publik.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *