Deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK. Sipas tij, Rama po përpiqet të ruajë balancën politike duke mbajtur pranë figurat më të afërta, si Balluku dhe Veliaj, ndonëse njëri prej tyre është në qeli.

Në një intervistë për “Log.” në News24, Muçi tha se Balluku duhej të ishte nën hetim edhe për korrupsion dhe jo vetëm për shkelje të barazisë në tendera. Ai shtoi se për zyrtarët e lartë nuk mund të aplikohet i njëjti standard si për qytetarët e zakonshëm.

“Kur bëhet fjalë për qytetarë të thjeshtë, sigurisht ekziston prezumimi i pafajësisë. Por për një funksionar të lartë që mban në dorë pushtetin dhe fondet publike, ky parim nuk mund të vlejë njësoj,” tha Muçi.

Deputeti theksoi se është paradoksale që Balluku, si person nën hetim, do të paraqesë buxhetin e vitit 2026 në Komisionin e Infrastrukturës.

“Është absurde që dikush i akuzuar për shkelje në tendera të vijë në Kuvend për të shpjeguar koncesionet e ardhshme,” shtoi ai.

Sipas Muçit, qëndrimi i Ramës ndaj bashkëpunëtorëve të tij ka qenë i ndryshëm: “Me Ahmetajn u distancua, me Veliajn u ra dakord për ta lëshuar, ndërsa me Ballukun po bën gjithçka për ta mbajtur afër.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *