Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur një politikë të re për dhënien e vizave, e cila ka shkaktuar reagime në SHBA dhe jashtë saj. Sipas udhëzimeve të reja të dërguara në ambasadat amerikane, aplikantët që vuajnë nga sëmundje kronike si obeziteti apo diabeti mund të refuzohen, me arsyetimin se mund të përbëjnë “barrë publike” për sistemin shëndetësor amerikan.
Në dokumentin e Departamentit të Shtetit thuhet se oficerët e vizave duhet të marrin në konsideratë gjendjen shëndetësore të çdo aplikanti gjatë procesit të vlerësimit për hyrje në SHBA. Përveç obezitetit dhe diabetit, në listën e gjendjeve që mund të ndikojnë në refuzim përfshihen edhe sëmundjet e zemrës, ato respiratore, kanceri dhe çrregullimet e shëndetit mendor.
Ky vendim vjen vetëm pak orë pasi Trump njoftoi një marrëveshje për uljen e çmimeve të disa barnave të njohura për trajtimin e obezitetit dhe diabetit, si Wegovy dhe Zepbound. Kjo ka bërë që kritikët ta cilësojnë masën si kontradiktore, nga njëra anë promovim i trajtimeve mjekësore, ndërsa nga ana tjetër përjashtim i njerëzve që vuajnë nga këto sëmundje.
Ekspertët e emigracionit paralajmërojnë se ky udhëzim mund të çojë në vendime arbitrare, pasi oficerët e vizave nuk kanë formim mjekësor dhe mund të vlerësojnë në mënyrë subjektive rrezikun shëndetësor të aplikantëve. Sipas tyre, kjo politikë mund të preki veçanërisht shtetasit nga vendet me të ardhura të ulëta, të cilët shpesh nuk kanë mundësi për sigurime shëndetësore private.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 13% e të rriturve në botë janë obezë dhe 11% jetojnë me diabet, çka e bën këtë politikë të re të administratës Trump potencialisht përjashtuese për miliona njerëz në mbarë globin.

