Demokratët në Kongresin amerikan kanë publikuar një seri të re dokumentesh dhe emailesh të marra nga pasuria e Jeffrey Epstein-it, ku përmendet disa herë ish-presidenti Donald Trump. Dokumentet, të siguruara nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, hedhin dritë mbi marrëdhëniet e mundshme mes Epstein-it, Ghislaine Maxwell dhe disa figurave politike të njohura.
Në një nga emailët e vitit 2011, Epstein i shkruan Maxwell-it:
“Dua të kuptosh që ai qeni që s’ka lehur është Trump… [Viktima] kaloi orë të tëra në shtëpinë time me të, por asnjëherë nuk është përmendur. Shefi i policisë, etj. Jam 75% aty.”
Maxwell i përgjigjet shkurt: “Kam qenë duke menduar për këtë…”
Demokratët e komisionit e cilësuan publikimin si “një goditje ndaj përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të fshehur të vërtetën mbi çështjen Epstein”.
Në një tjetër korrespondencë të vitit 2019 mes Epstein-it dhe autorit Michael Wolff, Epstein pretendon se “Trump e dinte për vajzat pasi i kërkoi Ghislaine-s të ndalonte”. Në po të njëjtin komunikim, Wolff diskuton mënyra për të “formuluar një përgjigje” për një intervistë të ardhshme të Trump-it në CNN, duke përmendur ndikimin që Epstein mund të kishte mbi të.
Në total, pasuria e Epstein-it ka dorëzuar mbi 23,000 dokumente, të cilat po shqyrtohen nga demokratët në Komisionin e Mbikëqyrjes. Sipas kongresmenit demokrat Robert Garcia, “sa më shumë që Donald Trump përpiqet të fshehë dosjet Epstein, aq më shumë ne zbulojmë. Këto emaile ngrenë pyetje serioze mbi atë që Shtëpia e Bardhë po përpiqet të fshehë dhe mbi natyrën e marrëdhënies mes Epstein-it dhe presidentit.”
Publikimi i dokumenteve ndodhi në të njëjtën ditë kur Kongresi pritet të votojë për ligjin “Epstein Files Transparency Act”, që synon publikimin e plotë të dosjeve të paklasifikuara mbi rastin.
Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende asnjë koment zyrtar, ndërsa Trump ka përsëritur se nuk ka pasur kurrë lidhje me aktivitetet e paligjshme të Epstein-it. Ai ka pranuar se e ka njohur në vitet 1990, por pretendon se marrëdhëniet mes tyre u ndërprenë në vitin 2004, kur “Epstein u përjashtua nga klubi i Trump-it për sjellje të papërshtatshme”.
Ghislaine Maxwell, e cila po vuan dënimin për trafik seksual të miturish, ka mohuar se ka parë ndonjë sjellje të papërshtatshme nga Trump apo ish-presidenti Bill Clinton. Ajo po kërkon falje presidenciale nga Trump, gjë që ka ngjallur reagime të ashpra nga familjet e viktimave, të cilat e akuzojnë për “rishkrim të historisë”.
Publikimi i dokumenteve ka hapur sërish debat të ashpër në Uashington: demokratët akuzojnë administratën Trump për fshehje të dosjes Epstein, ndërsa republikanët e cilësojnë nismën “një sulm politik të mirëorkestruar”.

