Vetëm gjashtë ditë para përfundimit të afatit për votimin e Qeverisë së re me Glauk Konjufcën si mandatar, partitë kryesore të opozitës deklarojnë se nuk kanë pasur asnjë komunikim me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe mbeten të vendosura për zgjedhje të reja. E vetmja forcë politike që ka konfirmuar kontakte nga LVV-ja është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pretendojnë se nuk janë kontaktuar fare nga LVV-ja dhe nuk e konsiderojnë bashkëpunimin si opsion, AAK-ja ka bërë të ditur se Vetëvendosje ka kërkuar takime konsultative. Megjithatë, kryetari Ramush Haradinaj ka theksuar se kërkesat janë refuzuar, pasi nuk janë shoqëruar me propozime konkrete për bashkëpunim apo përgjegjësi qeverisëse.
Haradinaj ka theksuar se AAK-ja e sheh si të pashmangshme shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, duke nënvizuar se krijimi i një qeverie të re kërkon përgjegjësi dhe qartësi, elemente që, sipas tij, mungojnë në qasjen e LVV-së.
“Kemi respekt për figurën e z. Konjufca, por formimi i një qeverie është proces tjetër. Ne nuk kemi marrë asnjë propozim për bashkëpunim. Ka pasur vetëm kërkesa për komunikim nga z. Konjufca ose zyra e tij, por nuk e shohim të arsyeshme të hyjmë në takime që nuk sjellin zgjidhje”, ka deklaruar Haradinaj.
Nga ana tjetër, në LDK kanë mohuar plotësisht çdo kontakt me LVV-në. Deputeti Alban Zogaj ka akuzuar mandatarin dhe LVV-në se po kërkojnë vetëm të fitojnë kohë, pa pasur interes real për të krijuar shumicën parlamentare.
“Nuk ka pasur asnjë qasje ndaj nesh, as institucionale, as partiake e as individuale. Po shohim të njëjtën situatë si me mandatarin e parë – mungesë vullneti për të formuar institucionet. LDK-ja nuk ka votë për Qeverinë Konjufca”, ka theksuar Zogaj.
Me afatin që po afrohet, situata politike mbetet e tensionuar dhe skenari i zgjedhjeve të reja po duket gjithnjë e më i pashmangshëm.

