Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i bëri thirrje homologut amerikan Donald Trump që të tregojë përmbajtje, në një periudhë kur Shtetet e Bashkuara kanë shtuar ndjeshëm prezencën ushtarake në Karaibe. I pyetur nga një gazetar i CNN nëse kishte një mesazh për Trump, Maduro tha shkurt: “Po, paqe!”

Duke folur për popullin amerikan, ai shtoi: “Mjaft me luftëra të pafundme. Mjaft me konflikte të padrejta. Mjaft me Libi, mjaft me Afganistan.”

Ndërkohë, Pentagoni publikoi fotografi të aeroplanmbajtëses më të madhe dhe më moderne të marinës amerikane, USS Gerald Ford, e cila mbërriti në Karaibe të martën, duke rritur ndjeshëm forcën ushtarake të SHBA-së në rajon. Që nga muaji gusht, SHBA-të kanë dislokuar tetë anije luftarake, një nëndetëse me energji bërthamore dhe avionë luftarakë F-35.

Maduro, që drejton Venezuelën prej vitit 2013, ka akuzuar prej kohësh praninë ushtarake amerikane në rajon si përpjekje për ta larguar nga pushteti. Ndërsa Trump deklaroi së fundmi se “ditët e Maduros në pushtet janë të numëruara”, duke konfirmuar se në tetor ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta në Venezuelë.

Të enjten, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi nisjen e operacionit “Shtiza Jugore”, i cili synon goditjen e trafikut të drogës në Karaibe. Që nga fillimi i shtatorit, forcat amerikane kanë kryer sulme ajrore në Karaibe dhe Paqësor kundër mjeteve lundruese të dyshuara për trafik narkotikësh. Deri tani, Uashingtoni ka marrë përgjegjësinë për 21 sulme, ku janë vrarë 80 persona.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *