Një padi e re e paraqitur nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetić ka rikthyer në qendër të vëmendjes akuzat e rënda ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi snajperësh në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës. Çështja po hetohet nga prokurorët e Milanos, të cilët javën e kaluar hapën një procedim për identifikimin e shtetasve italianë të përfshirë në vrasjen e civilëve boshnjakë në vitet ’90.

Sipas materialeve që Margetić publikoi së fundi në rrjete sociale, Vuçiç – në atë kohë një vullnetar i ri – shfaqet në një nga pozicionet ushtarake prej të cilave, sipas dëshmitarëve, kryheshin qitje ndaj civilëve si pjesë e asaj që është quajtur “Sarajevo Safari”, një praktikë makabre ku shtetas të pasur perëndimorë paguanin shuma të mëdha për të marrë pjesë në vrasjen e civilëve gjatë rrethimit të qytetit.

Hetimet janë nisur mbi bazën e një raporti të detajuar të Ezio Gavazzeni, shkrimtar italian që ka hulumtuar për vite me radhë rolin e të huajve në këto krime. Ai dhe ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Karić, kanë dorëzuar dokumente dhe dëshmi që mbështesin pretendimet për praninë e “turistëve snajperë”, të cilët udhëtonin nga Trieste në Beograd e më pas dërgoheshin në pozicionet përreth Sarajevës nga njësi të ushtrisë së Radovan Karaxhiçit.

Sipas “The Guardian”, rrethimi i Sarajevës, i cili zgjati nga 1992 deri më 1996 dhe mori jetën e mbi 10,000 personave, është konsideruar një nga periudhat më të errëta të luftës, ku snajperët përbënin rrezikun më të përditshëm për popullsinë civile. Viktima ishin shpesh kalimtarë të rastësishëm, përfshirë gra e fëmijë.

Avokati Nicola Brigida, i përfshirë në përgatitjen e dosjes investigative, deklaroi se provat janë “të shumta, të qëndrueshme dhe mund të çojnë në hetime edhe më të thelluara për identifikimin e përgjegjësve”.

Gavazzeni thotë se në këto ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë italianë, gjermanë, francezë e britanikë – të gjithë individë të pasur pa motive politike, por të tërhequr nga “adrenalina makabre” e luftës.

Vuçiç nuk ka reaguar der më tani ndaj padisë së fundit. Ai më herët ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në qitjet ndaj Sarajevës, duke i cilësuar akuzat si manipulime politike të lidhura me të shkuarën e tij nacionaliste.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *