Shifrat e vitit 2024 tregojnë një ekonomi që po mbahet gjallë nga shteti, jo nga tregu. Rritja nuk po vjen më nga tregtia, prodhimi e shërbimi, por nga taksat dhe shpenzimet publike, që kanë kontribuar për herë të parë në historinë e tranzicionit në më shumë se gjysmën e performancës së ekonomisë. Kjo e bën PBB-në më pak elastike dhe tregon mungesë të konkurrueshmërisë së bizneseve, duke ngritur një alarm për ecurinë në të ardhmen afatmesme, si për sa i përket përfitueshmërisë së sipërmarrjeve, ashtu dhe rishpërndarjes së mirëqenies së popullatës. Pasojat kanë filluar të ndihen. Për herë të parë që nga pandemia, fitimet e 200 kompanive më të mëdha janë në rënie. Ndërtimi, një sektor ciklik, po vijon të tërheqë kapitalet e lira të sipërmarrjes vendase, ndërsa hapësirat e lira në retail po “zihen” nga bizneset e Kosovës. Vetëm pak sipërmarrje nga industria fitojnë, teksa eksportet dhe bizneset e lidhura me turizmin po goditen nga Euro. Industrialistët pohojnë se nëse nuk nxitet eksporti, Shqipëria rrezikon të bëhet supermarketi i madh i Europës, me konsumatorët më të varfër që do të paguajnë çmimet më të shtrenjta.
Ornela Liperi
Tre sipërmarrje nga Kosova kanë hyrë së fundmi në tregun e pakicës në Shqipëri, përmes blerjes së kompanive vendase.
Përparim Tushaj, këshilltar biznesi në retail dhe njohës i të dy tregjeve, thotë se bizneset nga shteti që flet të njëjtën gjuhë, po shohin hapësira për të hyrë në retail, që mbetet ende i paorganizuar dhe po merr një impuls shtesë nga turizmi. “Në Kosovë, ky segment është shumë më i zhvilluar, dyqanet e vogla janë reduktuar, 50-60% e shitjeve kryhen në qendra të organizuara dhe fitimet janë maturuar”.
Në Shqipëri, thotë z. Tushaj, bizneset vendase i duan fitimet e shpejta, mundësisht dje, ndaj të gjithë po shkojnë në ndërtim, duke lëshuar terren në segmentet e tjera të ekonomisë.
“Në Kosovë, bizneset janë rritur me hapa të maturuar dhe janë specializuar, ndryshe nga ato shqiptare që janë të paqëndrueshme dhe rendin drejt fitimeve të lehta”. E njëjta sjellje vihet re dhe me sipërmarrjet përpunuese, që në Kosovë janë në një numër të lartë e më të zhvilluar.
Edhe ato kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri, si në grumbullimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore, ashtu dhe në agropërpunim, ku hapësirat janë të shumta, por interesi i vendasve është i pakët, sepse është një biznes i vështirë.
Të dhënat zyrtare nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) tregojnë se Shqipëria ka një model zhvillimi tepër të paqëndrueshëm dhe të orientuar drejt sektorëve me kthim të lartë e të shpejtë.
Ndërtimi, që është ciklik, po ngre kokë shumë shpesh në këto dekada dhe vitet e fundit ka mbajtur një peshë të konsiderueshme në rritje, teksa ka tërhequr sipërmarrjet për shkak të normave të larta të fitimit dhe kthimeve të shpejta.
Nuk dihet se për sa kohë ai do të vazhdojë ciklin zgjerues, përpara se të fillojë rënia e pashmangshme, siç ka ndodhur dhe më herët. Koncesionet ishin modeli tjetër që mori vëmendjen e një grupi të caktuar biznesesh për shkak të kthimeve dyshifrore, por misioni i tyre duket se po përfundon pa lavdi.
Akomodimi dhe shërbimi ushqimor kanë qenë një sektor tjetër që ka tërhequr rritjen, ndonëse normat e tij të fitimit janë gërryer nga Euro e dobët dhe informaliteti mbetet i lartë, duke ndikuar negativisht në cilësinë dhe standardet e shërbimit.
Industria dhe agor industria, punëdhënës të rëndësishëm, janë në ditët më të këqija dhe ata që fitojnë janë me pikatore, duke bërë që pothuajse të gjithë t’i kthejnë kurrizin dhe t’u lënë gati gjithë hapësirën importeve.
“Shqipëria rrezikon të kthehet në një supermarket të madh”, thotë Sokol Kraja, nga “Capital Resources” (Kraco), nga të paktit në këtë segment që po rrit fitimet e të ardhurat.
Mungesa e prodhimit vendas dhe zëvendësimi me importe po ndikon në shtrenjtimin e kostos së jetesës. Sipas Eurostat, për herë të parë që prej vitit 2005, çmimet e ushqimeve në vend kanë kaluar mesataren e BE-së me 1%, ndërsa të ardhurat janë vetëm 41% e saj.
Dhe familjet shqiptare shpenzojnë 40% të buxhetit për ushqime e pije joalkoolike, sipas INSTAT, kundrejt 13% të mesatares europiane, sipas Eurostat.
Rendja e bizneseve drejt fitimeve të lehta në sektorë ciklikë dhe mungesa e një modeli të qëndrueshëm të zhvillimit po japin tashmë efekte në ekonomi, fatkeqësisht negative.
Ndonëse në vitin 2024, ekonomia shqiptare ka ruajtur rritjen rreth 4%, në të njëjtat nivele me vitet e mëparshme, nëse shihen të detajuar kontribuuesit në këtë ecuri, realiteti është zhgënjyes.
Në vend që të mbështetet te prodhimi, ndërtimi, tregtia dhe shërbimet apo industria, ajo është mbajtur kryesisht nga efekti fiskal i taksave neto dhe shpenzimet publike për pagat e administratës, duke theksuar një model të rritjes së nxitur nga konsumi dhe politika buxhetore, jo nga baza reale prodhuese.
Për herë të parë në historinë e post-tranzicionit, shteti ka qenë kontribuuesi më i madh i ekonomisë në vitin 2024, duke sjellë më shumë se gjysmën e rritjes.
Në rezultatin prej 4%, taksat neto[1] dhanë ndikimin më të lartë 1.97 pikë përqindje. “Administrimi publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm” ishin kontribuuesi i dytë me 0.91 pikë përqindje, si rrjedhojë e rritjes së pagave në sektorin publik.
Sipërmarrja private kontribuoi me vetëm 1.97 pikë përqindje, nga 3.84 pikë përqindje në vitin 2023, ose 96% të rritjes të atij viti.
Në 2024-n, sipërmarrja private solli vetëm 49% të rritjes totale të ekonomisë. Ky është kontributi më i ulët historik i bizneseve, që nga 1996-a, kur INSTAT raporton të dhënat (janë përjashtuar vitet 1997 dhe 2020, kur trendi i ekonomisë ishte negativ për shkak të përkatësisht krizës së piramidave dhe pandemisë së Covid 19).
Ecuria e PBB-së në vitin 2024 është mbajtur artificialisht më lart përmes rritjes së të ardhurave fiskale, jo përmes rritjes reale të prodhimit apo eksporteve.
Të ardhurat nga TVSH dhe akcizat janë rritur, për shkak të çmimeve më të larta dhe konsumit të brendshëm, të nxitur dhe nga turizmi, por kjo nuk përfaqëson domosdoshmërisht rritje të qëndrueshme ekonomike.
Edhe qeveria e ka nxitur këtë tendencë, përmes politikës së rritjes së pagave në administratën publike për dy vjet radhazi, në një përpjekje për të konkurruar me rajonin dhe për të shtyrë sipërmarrjet private që të bëjnë të njëjtën lëvizje (edhe përmes pagës minimale), pa u shqetësuar shumë për lidhjen me produktivitetin, duke vënë në “siklet” sipërmarrjet prodhuese.
Pasojat po ndihen në ekonomi. Nëse heqim kontributin e shtetit, rritja në 2024-n është vetëm 1.97%, nga 3.84% vitin e kaluar, duke qenë niveli më i ulët që nga 2013-a (gjithnjë përjashtuar vitin e pandemisë).

Burimi: INSTAT
Një analizë më e detajuar sipas aktiviteteve ekonomike tregon një model të paqëndrueshëm ekonomik, për të mos thënë rastësor. “Ndërtimi”, “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, “Energjia elektrike, furnizimi me gaz”, që kanë qenë kontribuuesit kryesorë të rritjes deri në vitin 2023, kishin një efekt minimal në vitin 2024.
Ndërtimi është një sektor ciklik, që duket se ka arritur një maturim të ri, ndonëse ka ende shumë projekte në horizont që kanë marrë leje për t’u zhvilluar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Në vitin 2023, ndërtimi solli gati një të tretën e rritjes, ndërsa në 2024-n, kontributi zbriti në 13%.
Ritmi i lartë i ndërtimeve, në një korrelacion të çuditshëm që nuk lidhet shumë me kërkesë ofertën, apo me rritjen e të ardhurave e pagave, vetëm sa i ka bërë më të shtrenjta apartamentet për vendasit, sidomos në kryeqytet.
Çmimi mesatar i banesave në Tiranë ka arritur në rreth 2 mijë euro për metër katror, duke u trefishuar në krahasim me dy dekada më parë dhe duke e bërë kryeqytetin shqiptar ndër më të papërballueshmit në Europë, në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Numbeo, duke qenë një faktor shtesë që ka rritur koston e jetesës, krahas produkteve ushqimore.
“Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, një sektor i nxitur nga turizmi, sërish nuk po arrin të ketë efekt dominues, duke dhënë ndikim të kufizuar (8% të rritjes në 2024 nga 23% në 2023).
Të dhënat e INSTAT tregojnë se vlera e shtuar në këtë sektor po rritet shumë më ngadalë se të ardhurat, duke sinjalizuar efekt më të ulët në ekonomi.
Energjia është një sektor i varur tërësisht nga moti, teksa prodhimi nga uji sjell ende mbi 90% të totalit, ndonëse po rritet ngadalë dhe pesha e fotovoltaikëve. Kontributi i saj në rritje ishte 4% në 2024-n, nga 20% në vitin 2023.
“Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike”, apo profesionet e lira, një nga treguesit e zhvillimit të ekonomisë moderne, sepse përfaqëson kapacitetin analitik dhe kreativ të ekonomisë dhe burimin e inovacionit për bizneset e tjera, që po rritej me shpejtësi vitet e fundit, u tkurr ndjeshëm në 2024-n, duke dhënë kontribut prej më pak se 1% të rritjes, nga 12% në vitin 2022.
Përpjekja e qeverisë për të taksuar rëndë këtë aktivitet në 2024-n, që dështoi përkohësisht pas kthimit nga Gjykata Kushtetuese, duket se është reflektuar në stepjen e tij.
“Tregtia me shumicë dhe me pakicë” po jep gjithashtu kontribut të ulët, me 12% të totalit të rritjes, teksa emigracioni ka ndikuar negativisht në konsum, që nuk arrin të rikuperohet plotësisht nga turizmi. Shtrenjtimi i çmimeve, ndërsa ka ndikuar pozitivisht në kontributin e taksave neto, duke shtuar të ardhurat buxhetore, ka ulur fuqinë blerëse të popullatës.
Sektorë të tjerë të rëndësishëm për punësimin, si bujqësia, industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese kanë dhënë kontribute negative për tre vite radhazi, duke reflektuar vështirësitë strukturore të ekonomisë reale si nivelin e ulët të investimeve, kostot e larta të energjisë dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Burimi: INSTAT
Shifrat e vitit 2024 tregojnë një ekonomi që po mbahet gjallë nga shteti, jo nga tregu. Performanca nuk po vjen më nga prodhimi e shërbimet, por nga taksat dhe shpenzimet publike, përmes rritjes së pagave në Administratën Publike.
Kjo e bën PBB-në më pak elastike, më të ndjeshme ndaj krizave fiskale dhe më të varur nga politikat buxhetore sesa nga konkurrueshmëria reale e sektorëve.
Nëse ky trend vazhdon, Shqipëria mund të përballet me një ekonomi që rritet në letër, por jo në produktivitet dhe mirëqenie reale, çka pritet të ndikojë negativisht te përfitueshmëria e sipërmarrjeve në afatin e gjatë.
“Shqipëria ndodhet në një fazë shumë interesante dhe të rëndësishme të zhvillimit të saj ekonomik. Nga njëra anë duhet t’u përgjigjet sfidave të tregut të brendshëm dhe zhvillimeve të tij, dhe nga ana tjetër duhet të përgatitet për një transformim rrënjësor, duke marrë parasysh sfidën e tregut të përbashkët europian, ku ajo shumë shpejt mund të bëhet pjesë”, thotë Arben Shkodra, ekspert ekonomie.
Sinjalet janë që ekonomia reale ka filluar të ndiejë këtë model të paqëndrueshëm.
Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, bazuar në renditjen e 200 kompanive me fitime më të mëdha në vend, tregojnë se fitimet e sipërmarrjeve të mëdha ishin rreth 168 miliardë lekë në 2024-n, me një tkurrje prej 6% në krahasim me fitimin e realizuar nga subjektet e listës së njëjtë të vitit të mëparshëm.
Kjo është hera e parë që tendenca e fitimeve të listës së “Monitor 200” vjen në rënie, që nga viti 2018 kur publikohet lista e 200 sipërmarrjeve me rezultat më të lartë financiar (duke përjashtuar gjithmonë 2020-n, që nuk ishte një vit normal, për shkak të bllokimit të ekonomisë nga pandemia).

Burimi: QKB, Monitor
Tkurrja e fitimeve reflektohet dhe në treguesit e buxhetit të konsoliduar. Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatimfitimi zbritën në 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2024-n, nga 2.7% vitin e mëparshëm.
Në krahasim me Serbinë, që ka tatimfitim të njëjtë prej 15%, të ardhurat nga taksimi mbi korporatat në raport me madhësinë e ekonomisë janë më të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave e Serbisë, ky tregues ishte rreth 2.8% e PBB-së në vitin 2024.
Në Maqedoninë e Veriut, me një normë fitimi prej 10%, të ardhurat nga taksimi i korporatave ishin pothuajse në të njëjtin nivel me Shqipërinë, në rreth 2.1% të PBB-së, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave e Maqedonisë së Veriut.
Të llogaritua indirekt, bazuar në tatimfitimin e paguar në 2024-n (norma 15%), që ishte rreth 57 miliardë lekë, fitimi total i sipërmarrjeve biznes i madh në vend ishte rreth 380 miliardë lekë. 200 sipërmarrjet me fitime më të mëdha kanë gjeneruar 44% të totalit.
Si çdo vit, Revista publikon renditjen e “Monitor 200”, sipas fitimeve, pas asaj të “200 më të mëdhenjve”, sipas të ardhurave, që bazohen në listën e marrë nga Tatimet dhe bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Për të tretin vit radhazi është i dukshëm dominimi i ndërtimit e energjisë dhe rënia e industrisë. 21% e sipërmarrjeve në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, janë nga ndërtimi ose të lidhura me të, më shumë se çdo sektor tjetër (42 shoqëri).
Energjia është sektori i dytë dominues me 17 të tilla, nga sektori privat. Bankat janë gjithashtu një sektor i qëndrueshëm, që sidomos në vitin 2024 e dominojnë listën për nga vlera e fitimeve.
Vetëm 5 shoqëri me kapital vendas me aktivitet në industrinë përpunuese janë në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve.
Ecuria e fitimeve në 2024 u udhëhoq nga ndërtimi, si ai i rrugëve, rezidencial, ashtu dhe i fshatrave turistikë, dhe nga energjia, ku krahas ujit, në skenë po del dhe ajo fotovoltaike. Bankat shënuan gjithashtu vitin më të mirë historik, si rrjedhojë e zgjerimit të marzhit mes interesave të depozitave e kredive.
32% e kompanive në listën e “Monitor 200” deklaruan rënie të fitimeve në vitin 2024 në krahasim me vitin e mëparshëm.
43% e kompanive në listë kishin një normë fitimi midis 10 dhe 30%; 28% e kompanive e kishin normën mbi 30% dhe 29% e sipërmarrjeve, më pak se 10%.
Kufiri i kompanisë së 10 për nga fitimet në vlerë absolute në 2021 ishte 2.2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2022, u rrit në 3.6 miliardë lekë, për të arritur në 4 miliardë lekë në vitin 2023 dhe për të zbritur në 3.4 miliardë lekë në 2024-n. Pragu i hyrjes në renditjen e “Monitor 200” në vitin 2024 ishte rreth 210 milionë lekë.
Ndryshe nga renditja e “Monitor 200”, sipas të ardhurave, që ka kompani të qëndrueshme në vite, në listën e fitimeve ka luhatje të mëdha për shkak të natyrës ciklike të fitimeve të shumë sektorëve.

Sektorët që fitojnë më shumë
Ndërtimi po vijon të tërheqë vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve, i nxitur nga normat e larta të fitimit, të fryra edhe nga hyrja e parave informale në ekonomi.
Për të dytin vit radhazi në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, mbizotërojnë sipërmarrjet, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin, 42 të tilla, ose 21% e totalit, me një rënie të lehtë në krahasim me 25%, që ishin në vitin 2023.
Megjithatë, revanshi i fitimeve të ndërtimit po shfaq shenja ngadalësimi. Në vlerë, fitimet e 42 kompanive të ndërtimit dhe të lidhura me to u rritën me 12%, nga 45%, që kishte qenë zgjerimi për dy vitet e mëparshme. Kjo rritje e shpejtë e fitimeve në 2022 – 2023 shpjegoi dhe “dyndjen” e investimeve dhe kapitaleve të lira drejt ndërtimit
Në të njëjtën linjë dhe normat e fitimit u përmirësuan dukshëm nga 10.8% në 2019-n, në 14.8% në 2020-n, 15.9% në vitin 2021, 19% në vitin 2022 dhe 27% në vitin 2023.
Por, viti 2024 solli sërish rënie të përfitueshmërisë, teksa norma e fitimit të shoqërive nga ky segment në listën e 200-shes u reduktua në rreth 20%.
Me sektorin që po i ul gradualisht fitimet dhe po hyn në një cikël të ri maturimi, energjia duket se po bëhet ndërtimi i ri. Ndryshe nga vitet e kaluara, që nxitën investimet në hidrocentralet e vogla, që rezultuan dhe vijojnë të jetë shumë fitimprurës, kapitali i ri po shkon drejt paneleve fotovoltaike duke tërhequr dhe shumë ndërtues.
Tre hyrje të reja nga ky segment këtë vit kishin norma dyshifrore. Ndërtimi dhe investimet e reja sugjerojnë që në të ardhmen numri i tyre do të shtohet. Në renditjen e këtij viti ka 17 shoqëri të segmentit të energjisë, në tregtim, prodhim nga uji e nga dielli.
Koncesionet, një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në dekadën e fundit, po bien nga piedestali, teksa shumica e tyre janë drejt përfundimit dhe për momentin nuk ka të reja, deri sa të fillojë vrulli i koncesionit të rrugëve, siç duket nga tendenca e qeverisë dhe e financave.
Për të dytin vit radhazi, bankat shënuan fitime rekord, të ndikuara nga një mjedis me norma ende të larta interesi, ndonëse në gjysmën e vitit filloi politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, që pritet të ushtrojë presion për marzhet në periudhën në vijim.
Në tregun financiar, sigurimet mbeten me norma të ulëta njëshifrore në fitime, si rrjedhojë e nivelit të ulët të primeve për frymë dhe në mungesë të një trendi për ndryshime në këtë aspekt.
Biznesi i kujdesit për shëndetin, një aktivitet me humbje prej më se një dekade, më në fund ka arritur pikën e kthesës së rentabilitetit, teksa pas dy dekadash, spitalet private po deklarojnë fitime.
Në epokën e teknologjisë së informacionit, numri i sipërmarrjeve nga ky segment numërohet me gishtat e dorës, ndonëse normat e fitimit janë të larta.
Normat e fitimit mbeten të ulëta edhe për distributorët e mëdhenj të produkteve që lëvizin shpejt nga rafti, ndonëse disa prej tyre kanë arritur të shtojnë fitimet nga nënçmimi i monedhës europiane. Supermarketet e mëdha panë tkurrje të fitimeve në vitin 2024, të ndikuara nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe shtimi i konkurrencës.
Për herë të parë këtë vit, në listën e “Monitor 200”, ka dy struktura të mëdha hoteliere, në linjë me zhvillimet pozitive të këtij sektori. Në kontrast, pjesa më e madhe e hoteleve, sidomos në kryeqytet, raportojnë norma shumë të ulëta fitimi, të ndikuara dhe nga rënia e Euros, që ndryshe nga pasuritë e paluajtshme e kanë të vështirë ta transferojnë në çmim.
Më fitimprurësit në këtë segment po rezultojnë fshatrat e mëdhenj turistikë, që për vetë modelin e biznesit kanë kthim të lartë e të shpejtë, ndryshe nga hotelet që janë një sipërmarrje shumë më e mundimshme, ndonëse këto të fundit sjellin më shumë vlerë të shtuar në ekonomi.
Kthimi i vendit në një destinacion turistik, krahas ndikimit direkt e indirekt në ekonomi, konsum, investime në struktura akomoduese, etj., po nxit edhe një segment tjetër, atë të turizmit shëndetësor.
Për herë të parë në renditjen e 2022, në listë hynë shoqëri që veprojnë në ofrimin e shërbimeve estetike e atyre dentare, që shënuan dyfishim të të ardhurave. Por në vitin 2023, rritja u ngadalësua, në një sinjal se tregu po maturohet. E njëjta tendencë vijoi dhe në vitin 2024, e ndikuar dhe nga konkurrenca e fortë.
Tregtimi i hidrokarbureve vijon të jetë një biznes që qarkullon shumë para, por ka pak ose aspak fitime, me norma që janë shpesh dhe më pak se 1%.
Ndërtimi dhe energjia janë sektorët më fitimprurës në vend
Edhe pse me rënie, ndërtimi ka vijuar të jetë sektori me fitime më të larta në ekonomi, duke ia kaluar për të dytin vit radhazi koncesioneve, që vitet e fundit kishin mbajtur rekordin.
Norma mesatare e fitimit për 42 shoqëritë më të mëdha të ndërtimit dhe të lidhura me to ishte rreth 20% në 2024-n, nga 27% në vitin 2023.
Koncesionet, ndonëse kanë zbritur nga froni, mbeten sërish në vend të dytë, me një normë mesatare prej 18%, nga mbi 30% që ishte treguesi disa vite më parë, kur projektet e ashtuquajtura të Partneritetit Publik-Privat ishin në kulmin e tyre.
Distributorët, apo tregtuesit me shumicë, kanë norma fitimi të qëndrueshme, me një mesatare prej 10% në vitin 2024, që po ndikohet pozitivisht nga Euro e dobët që i bën importet më të lira.
Industria është ajo që po vuan më shumë, e prekur si nga Euro e dobët, ashtu edhe nga rritja e kostove të punës. Norma e fitimit të 26 kompanive që veprojnë në sektorë të ndryshëm të industrisë (nga të cilat vetëm 5 janë në listën e “Monitor 200”) ishte 6.8%, më e ulëta që kur “Monitor” filloi të raportonte të dhënat, më se një dekadë më parë, nga 7-8% që ishte mesatarja e këtij sektori. Rënien më të fortë e shënoi industria me material porositësi, kryesisht tekstile e këpucë, disa prej të cilave madje janë me humbje.
Energjia është një tjetër sektor fitimprurës. Në listën e “Monitor 200” sipas fitimeve, janë 3 tregtues, 11 prodhues të energjisë nga uji dhe 3 fotovoltaikë, ose të lidhur me ciklin e energjisë diellore. Normat e fitimit të tyre variojnë dukshëm nga një segment tek tjetri.
Rezultatet më të larta i kanë hidrocentralet e vogla që janë gjithnjë në listën sipas fitimeve, me norma prej 50-70%. Centralet fotovoltaikë që kanë hyrë në vitin 2024 në listë kishin norma midis 12 dhe 50%, ndërsa tregtuesit kanë nivele njëshifrore kthimi për shkak të volumit të lartë të parave që qarkullojnë.

Luhatjet e Euros, një faktor i rëndësishëm që ndikoi fitimet e bizneseve
Zhvlerësimi i fortë i Euros gjatë viteve të fundit ka ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat ekonomikë në vend. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2024, Euro u këmbye mesatarisht me 100.7 lekë, niveli më i ulët historik që nga momenti kur monedha e përbashkët doli në qarkullim fizik.
Krahasuar me një vit më parë, Euro është nënçmuar me 7.4%, ndërsa vlera e saj është 17.7% më pak se në vitin 2021 dhe 27% më e ulët se në vitin 2016, përpara se të niste rënia e qëndrueshme e kursit të këmbimit.
Ndikimi i kësaj lëvizjeje ka qenë i dyfishtë. Për disa sektorë, një Lek i fortë ka qenë përfitim; për të tjerë, një sfidë serioze.
Importuesit, veçanërisht ata që operojnë në sektorin e mallrave të konsumit të shpejtë (FMCG) dhe të karburanteve, kanë përfituar nga Euro dhe Dollari i dobët, duke arritur të ulin kostot e blerjeve nga jashtë dhe të amortizojnë rritjen e shpenzimeve të tjera, përfshirë ato të personelit.
Një pjesë e këtij avantazhi është reflektuar në përmirësimin e marzheve të fitimit, ndërsa një pjesë tjetër, në çmime më të ulëta për konsumatorët. Sidomos për karburantet, shpejtësia e transferimit të uljes në çmimin e pakicës është e ngadaltë, por dhe çmimet në rastet e supermarketeve nuk janë aq të lira.
Në anën tjetër, kursi i ulët i Euros ka ndikuar negativisht në industrinë përpunuese dhe eksportuesit, të cilët i realizojnë të ardhurat kryesisht në valutë. Për ta, çdo nënçmim i Euros përkthehet në më pak të ardhura në Lek, ndërkohë që kostot e brendshme, veçanërisht ato të pagave dhe lëndëve të para, janë në rritje.
Industria përpunuese përballet gjithashtu me konkurrencë më të fortë nga importet më të lira, duke shtuar presionin mbi çmimet dhe fitimet. Sikur të mos u mjaftonin problemet e tjera, rënia e Euros u ka dhënë atyre goditjen finale.
Një tjetër sektor i goditur nga kursi i këmbimit është turizmi dhe hoteleria. Edhe pse viti 2024 shënoi rekord historik me mbi 11 milionë vizitorë të huaj, shumë struktura akomoduese kanë raportuar rënie të fitimeve, pasi pjesa më e madhe e arkëtimeve realizohet në Euro.
Rënia e vlerës së saj ka ulur të ardhurat në termat e Lekut, duke ndikuar negativisht edhe te sektori i turizmit shëndetësor.
Vite e fundit, luhatjet e kursit të Euros po krijojnë një mjedis të pasigurt për bizneset shqiptare. Për disa sektorë, ato kanë sjellë fitime shtesë dhe stabilitet të përkohshëm, ndërsa për të tjerë, sidomos eksportuesit dhe industrinë përpunuese, kanë përbërë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj të ardhurave dhe qëndrueshmërisë afatgjatë.
Në mungesë të mekanizmave mbrojtës apo instrumenteve financiare për menaxhimin e riskut të valutës, kursi i këmbimit po mbetet një nga faktorët më të paqëndrueshëm që përcakton fitimet dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
“Elka S.A.” pohon në raportin vjetor se stabiliteti i kursit të këmbimit është thelbësor për eksportuesit, pasi luhatjet e shpeshta dhe rënia e vlerës së Euros kanë krijuar pasiguri në çmimet e shitjes dhe kanë ndikuar konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare, ku kompania operon prej shumë vitesh. “Gjatë vitit 2024, këto luhatje kanë qenë të theksuara dhe kanë ndikuar negativisht edhe në rezultatin financiar të “Elka S.A.”.

Burimi: Banka e Shqipërisë
Bizneset rrisin shpenzimet e personelit në kurriz të fitimeve
Ashtu si në listën e kompanive që ishin pjesë e “Monitor 200” sipas të ardhurave, edhe në atë të fitimeve është e dukshme rritja e shpenzimeve të personelit.
Ndërsa fitimet ranë me 6%, shpenzimet e personelit për 170 shoqëri që i kanë ato të detajuara në bilanc u rritën me 14%.
Ky është një tregues i qartë i presionit që po ushtrohet mbi kostot e bizneseve si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore dhe rritjes së pagave në sektorin publik.
Tkurrja e popullsisë, që sipas Censit të fundit ka zbritur në më pak se 2.4 milionë banorë, dhe “vrapi” i pagave në administratën publike, po detyrojnë bizneset që të rrisin ndjeshëm pagat, shpesh pa pasur rritje të produktivitetit.
Kjo tendencë po gërryen fitimet e ndërmarrjeve, veçanërisht në sektorët që operojnë në tregun e brendshëm dhe kanë varësi të lartë nga puna manuale. “Në rastin e një kompanie që operon kryesisht në tregun e brendshëm, tkurrja e popullsisë padyshim ndikon negativisht.
Gjithashtu kjo krijon vështirësi edhe në gjetjen e personelit, kryesisht të fuqisë punëtore. Për këtë arsye jemi të detyruar të rrisim vazhdimisht pagat në mënyrë që punonjësit të arrijnë atë mirëqenie ekonomike që synojnë duke emigruar.
Kjo padyshim për ndërmarrjet çon në rritjen e kostove, megjithatë e konsiderojmë një proces të detyrueshëm”, thotë Luan Leka, sipërmarrës i E.H.W-së, që aktivitetin kryesor e ka në industrinë përpunuese.
Në afat të gjatë, kjo dinamikë mund të ketë pasoja të rëndësishme për strukturën e ekonomisë dhe për konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Rritja e kostove të punës, e pambështetur nga rritja e produktivitetit, mund të kufizojë aftësinë e kompanive për të investuar duke ngadalësuar zgjerimin e aktivitetit apo inovacionin teknologjik.
Për sektorë si përpunimi, fasoneria apo shërbimet, ku marzhet e fitimit janë tashmë të ulëta, kjo prirje rrezikon të ulë qëndrueshmërinë financiare dhe të nxisë zhvendosjen e prodhimit jashtë vendit, tendencë që tashmë ka filluar me mbylljen e shumë fabrikave që punojnë me material porositësi.
Në të njëjtën kohë, një treg pune gjithnjë e më i ngushtë mund të krijojë diferenca të mëdha midis kompanive që kanë mundësi të përballojnë rritje pagash dhe atyre që nuk i përballojnë dot, duke çuar në konsolidimin e tregut dhe në humbjen e hapësirës për bizneset e vogla.
Në mungesë të politikave që nxisin rritjen e produktivitetit, digjitalizimin dhe investimet në trajnimin e fuqisë punëtore, presioni mbi kostot do të mbetet i lartë dhe fitimet e bizneseve do të vijojnë të jenë nën trysni.
Rreziku
Rritja e kostove të punës, e pambështetur nga rritja e produktivitetit, mund të kufizojë aftësinë e kompanive për të investuar duke ngadalësuar zgjerimin e aktivitetit apo inovacionin teknologjik. Për sektorë si përpunimi, fasoneria apo shërbimet, ku marzhet e fitimit janë tashmë të ulëta, kjo prirje rrezikon të ulë qëndrueshmërinë financiare dhe të nxisë zhvendosjen e prodhimit jashtë vendit, tendencë që tashmë ka filluar me mbylljen e shumë fabrikave që punojnë me material porositësi.
DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE
- “Banka Kombëtare Tregtare”
“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), që është gjithmonë pjesë e listës së 10 kompanive më të mëdha si për të ardhurat, ashtu dhe për rezultatin financiar, është ngjitur për herë të parë në krye të renditjes së fitimeve, nga e treta që ishte vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend (sipas të ardhurave e aktiveve) ishte 10.4 miliardë lekë (me rritje 32% në krahasim me vitin e mëparshëm).
Të ardhurat ishin 23.8 miliardë lekë, me zgjerim 9.8% në raport me 2023-n. Përmirësimi i fitimeve në 2024 erdhi si rrjedhojë e shtimit të të ardhurave, si nga interesat, ashtu dhe komisionet dhe mbajtjes nën kontroll të shpenzimeve.
“E mbyllëm vitin 2024 me një fitim neto prej 122 milionë dollarësh amerikanë, që përkon me një normë kthimi mbi kapitalin prej 20%.
Ky vit shënoi për herë të parë kalimin e pragut prej 1 miliard dollarësh të kapitalit tonë (713 milionë USD) së bashku me dividentët e shpërndarë deri më tani (330 milionë USD)”, citohet në raportin vjetor Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).
- “Raiffeisen Bank”
Për herë të parë, dy banka kryesojnë renditjen e fitimeve. “Raiffeisen Bank” është ngjitur në vend të dytë në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, nga e katërta vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte 9.1 miliardë lekë, me rritje 15.7% me bazë vjetore.
Norma e fitimit ishte gati 46%, njësoj me vitin e kaluar. Të ardhurat arritën në gati 20 miliardë lekë (rritje 15.4%). Përmirësimi i rezultatit financiar është ndikuar nga rritja e të ardhurave nga interesat e komisionet dhe mbajtja nën kontroll e shpenzimeve.
“Në vitin 2024, ‘Raiffeisen Bank Shqipëri’ shënoi një rezultat financiar të jashtëzakonshëm, duke arritur nivelin më të lartë të fitimit neto në historinë e saj”, citohet Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm, Kryetar i Drejtorisë, “Raiffeisen”, në raportin vjetor.
Ai shton se kapitalizimi i fortë dhe pozicioni i qëndrueshëm i likuiditetit, i reflektuar në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit prej 20,3%, ndjeshëm mbi kufirin e kërkuar, dëshmojnë qartë gatishmërinë e bankës për të përballuar sfida dhe për të shfrytëzuar çdo mundësi në mënyrë proaktive”.
- “Trans Adriatic Pipeline AG Albania”
“Trans Adriatic Pipeline AG Albania” ka si aktivitet kryesor në Shqipëri të planifikojë, të zhvillojë, të ndërtojë dhe të operojë sistemin e tubacionit të gazit natyror TAP. Shoqëria është në fazën e operimit që prej datës 15 nëntor të vitit 2020. Më 31 dhjetor 2020, TAP filloi transportin e gazit natyror nga Azerbajxhani në Evropë dhe infrastruktura vijon të funksionojë në përputhje me standardet më të larta të industrisë.
Deri më sot, TAP ka transportuar më shumë se 52 bcm gaz natyror në Evropë. TAP mund të kontribuojë më tej në sigurinë energjetike në Evropë dhe në objektivat e dekarbonizimit nëse dyfishon gradualisht kapacitetin e tubacionit, i cili aktualisht është 10 bcm/a.
Shoqëria, sipas raportit të aktivitetit, është një degë e Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG Zvicër, selia qendrore dhe nuk kryen ndonjë veprimtari të pavarur nga selia qëndrore. Objektivi i vetëm i saj është të ndërtojë, të operojë dhe mirëmbajë gazsjellësin që kalon në territorin e Shqipërisë dhe të trajtojë çështjet ligjore dhe tatimore që lidhen me një aktivitet të tillë në vend.
Tashmë në faze operacionale, dega e Shqipërisë deklaroi të ardhura të atribuuara prej 17.2 miliardë lekësh (rënie 5% krahasuar me vitin e mëparshëm) dhe fitime prej 7.3 miliardë lekësh (nga 8.3 miliardë lekë vitin e mëparshëm), që e rendisin atë të tretën për nga fitimet në vend, nga e dyta vitin e kaluar.
Bazuar në Marrëveshjen Shumëpalëshe të Çmimit në Avancë (MÇA) midis autoriteteve kompetente të Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Zvicrës nënshkruar ne vitin 2017, gjatë fazës së ndërtimit 2017-2020, Shoqërisë në Shqipëri i jane atribuuar të ardhura mbi bazën e shpenzimeve operacionale lokale (OPEX, të njohura sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) plus një marzh fitimi prej 12% deri sa gazsjellësi të ndërtohej dhe të hynte në shfrytëzim.
Pas fillimit të funksionimit, prej datës 15 nëntor 2020 e ardhura përcaktohet bazuar në shpenzimet lokale operacionale (OPEX, të njohura sipas SNRF) të kryera nga Shoqëria gjatë një viti, plus një marzh fitimi prej 12% dhe plus një marzh prej 4.25% në shpenzimet kapitale (CAPEX), të njohura sipas SNRF. Shoqëria, sipas të dhënave në pasqyrat financiare, ka paguar tatimfitim në vlerën 680 milionë lekë në vitin 2024.
- “OSHEE Group”
“OSHEE Group”, Korporata Publike Shqiptare, që ka në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) është kompania e dytë më e madhe në vend sipas të ardhurave, me rreth 75 miliardë lekë në 2024, pothuajse njësoj me vitin e mëparshëm. OSHEE është për të dytin vit radhazi edhe në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve.
Operatori ka përmirësuar treguesit e përfitueshmërisë, duke raportuar fitime (neto) prej 7.3 miliardë lekësh në 2024, me rritje prej 56% sipas të dhënave që Ministria e Financave ka publikuar në buxhetin faktik 2024.
“Pas rezultatit financiar negativ në vitin 2021, për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve të tregut të lirë, për periudhën 2022 – 2024, rezultati financiar i aktivitetit të shoqërisë ishte pozitiv, dhe në tejkalim të vazhdueshëm të treguesve kryesorë financiarë të planifikuar.
Reduktimi i mëtejshëm i humbjeve dhe qëndrueshmëria në realizimin e normës së arkëtimeve, pavarësisht sfidave të shumta, mundësuan një rezultat pozitiv, i cili u ndikua edhe nga disiplina e vazhdueshme financiare në ruajtjen e shpenzimeve operative.
Për vitin 2024, kompania kishte fitim neto prej rreth 7.3 miliardë lekësh, ose rreth 74.2 milionë euro, si rezultat i përmirësimit të treguesve bazë të shoqërisë.
Përmirësimi i performancës financiare është rrjedhojë e programit të masave të marra nga menaxhimi i shoqërisë në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, për të ulur te konsumatorët ndikimin e çmimit të rritur të energjisë në tregun e lirë.
Performanca financiare (fitimi neto) e vitit 2024, në krahasim me vitin 2023, u përmirësua me rreth 2%, pavarësisht se një pjesë e klientëve, si rrjedhojë e reformës për hapjen e tregut, u larguan për t’u furnizuar në tregun e lirë”, pohon z. Enea Karakaçi, administrator i kompanisë “OSHEE Group”.
- Banka “OTP Albania”
Banka “OTP Albania” është renditur për të katërtin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave, duke u ngjitur në vendin e pestë nga i dhjeti në vitin 2023.
Fitimet para taksave arritën në 6 miliardë lekë, me një zgjerim prej 47%. Të ardhurat ishin 11.9 miliardë lekë (+7.6%). Rritja e fortë e të ardhurave nga interesat ishte arsyeja kryesore që ndikoi në këtë performancë.
“Banka ‘OTP Albania’ e mbylli vitin 2024 me fitim neto prej gati 5 miliardë lekësh, një rritje prej rreth 10.5% krahasuar me një vit më parë, dhe me një kthim mbi kapitalin (ROE) mbi 20%. Ky rezultat pasqyron jo vetëm disiplinën tonë financiare, por edhe besimin e thellë që klientët tanë kanë te ne”, pohon Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit të Menaxhimit në raportin vjetor.
- “Green Coast”
“Green Coast”, pjesë e Grupit BALFIN, që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug të vendit, ka hyrë për herë të parë në listën e dhjetëshes për fitimet.
Kompania raportoi të ardhura prej 8.1 miliardë lekësh në vitin 2024 dhe fitime prej gati 6 miliardë lekësh, me një normë prej 73%, e ndikuar dhe në fazën në të cilën ndodhet projekti.
Fitimet pothuajse u dyfishuan në raport me vitin e mëparshëm. Shoqëria, duke qenë në rolin e investitorit, ndërtimin dhe projektimin e merr të nënkontraktuar”, thuhet në raportin vjetor.
Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë. Kompania është investitore dhe ndërtimin e kryen nëpërmjet nënkontraktorëve.
Sipas raportit të aktivitetit, projektet kryesore janë “Green Coast Resort Village”, që do të shtrihet në afro 500,000 m² tokë me më shumë se 290,000 m² ndërtim, me vila banimi, njësi biznesi, supermarkete, qendra, me mbi 16,000 m² ndërtim, në një truall prej mbi 8,000 m².
Shoqëria ka investuar dhe në hoteleri, nën markën me 5 yje “MGallery”, me 118 dhoma.
“Shoqëria ka gjeneruar një fitim bruto prej 82.08% të të ardhurave totale dhe një fitim neto prej 61.75% të të ardhurave totale. Ky vit paraqet rezultat më se pozitiv të shoqërisë”, thuhet në raportin vjetor.
“Nga analiza horizontale e bërë për vitet 2024 dhe 2023, shoqëria paraqet rritje në fitimin operativ dhe në fitimin neto. Kjo rritje lidhet edhe me fazën në të cilën ndodhet projekti.
Gjatë vitit 2024, rritja në fitimin operativ ndikohet kryesisht nga njohja e të ardhurave, nga marrëdhënie bashkinvestimi me bashkëzhvilluesit e tjerë të projektit të ‘Green Coast Village’, sipas SNRF 15. Për sa më sipër, shoqëria për vitin 2024 paraqet një pasqyrë pozitive të performancës së saj, e cila parashikohet për periudhat e ardhshme të jetë në rritje në këndvështrimin e të ardhurave lidhur me projektet që ka në zhvillim”.
Në raport theksohet se treguesit e përfitueshmërisë paraqesin edhe faktin që gjatë vitit 2024, shoqëria ka qenë edhe është duke investuar projekte të tjera të reja të saj, por njëkohësisht edhe duke gjeneruar fitim nga njohjet e njësive.
- “Tirana International Airport”
“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, historikisht një prej bizneseve më fitimprurëse në vend, është për të katërtin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave sipas fitimeve, pasi kishte dalë në vitin e pandemisë. Në vitin 2024, fitimet e saj u rritën me 6.1% në 4.4 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të mirë historik.
Të ardhurat ishin 11.4 miliardë lekë, me zgjerim prej 13%.
Aktiviteti i udhëtimeve ajrore është rritur me shpejtësi pas pandemisë, i nxitur nga hyrja e operatorëve me kosto të ulët dhe kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik.
Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA-s, pohon se viti 2024 ishte më i suksesshmi në historinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. “Arritëm një rekord prej 10.7 milionë pasagjerësh, 113 destinacione dhe lidhje direkte me 33 shtete në Europë dhe në Lindjen e Mesme”.
Ai shton se kompania planifikon rritje të mëtejshme përmes investimeve strategjike në infrastrukturë, digjitalizim dhe forcim të kapaciteteve njerëzore.
“Këto janë tri shtyllat që do të mbështesin objektivin tonë kryesor – kthimin e aeroportit në një qendër rajonale, jo vetëm për trafikun ajror, por edhe si një katalizator për ekonominë.
Kapacitetet e zgjeruara aktualisht dhe ato të planifikuara në vijim synojnë të mbështesin rritjen e numrit të pasagjerëve dhe destinacioneve. Objektivi ynë afatmesëm është arritja e shifrës 15 milionë pasagjerë në vit”.
- “Intesa San Paolo Bank Albania”
“Intesa San Paolo Bank Albania” është një hyrje e re në dhjetëshen e fitimeve, duke u pozicionuar në vend të tetë. Banka deklaroi fitime prej 3.8 miliardë lekësh, me zgjerim prej 4.2%. Të ardhurat arritën në 10.63 miliardë lekë, me rritje 13.6%.
“Realizuam një fitim neto prej 3.1 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 2.4%, falë zgjerimit të qëndrueshëm në të gjitha burimet e të ardhurave: të ardhurat nga tregtimi u rritën me 21%, të ardhurat neto nga interesi me 7% dhe të ardhurat nga komisionet, me 6%.
Performanca jonë nuk lidhet vetëm me shifrat financiare, por pasqyron gjithashtu disiplinën tonë strategjike, përqendrimin te klienti dhe angazhimin për inovacion”, pohon CEO i Bankës, Alessandro D’Oria, në raportin vjetor.
- “Banka Amerikane e Investimeve”
“Banka Amerikane e Investimeve” (ABI Bank) është një tjetër institucion financiar që ka hyrë në listën e 10 të mëdhave sipas fitimeve. Në vitin 2024, banka deklaroi fitime prej 3.8 miliardë lekësh, me një rritje prej 21%. Banka rriti dhe të ardhurat me gati 24.7% në 8.7 miliardë lekë
“ABI në vitin 2024 ka vazhduar të përmirësojë më tej rekordin në fitim, depozita, kredi, përfitueshmëri dhe cilësi portofoli.
Fitimi i lartë i ABI gjatë 2024-s solli pozicionimin e bankës si institucioni që ka ndër fitimet më të larta në sektorin bankar. Prej vitesh, ABI raporton përqindjen më të ulët të kredive të këqija”, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve.
- “Banka e Tiranës”
“Banka e Tiranës”, po pjesë e Grupit BALFIN, ka hyrë në dhjetëshen e këtij viti, duke u bërë grupi i vetëm, që ka dy shoqëri në të parat e kësaj liste.
Fitimet u rritën me 39%, në 3.4 miliardë lekë. Banka deklaroi të ardhura prej rreth 8.8 miliardë lekësh, me rritje vjetore 28.8%.
“Viti 2024 shënoi rritje të qëndrueshme dhe rezultate mbi mesataren e sektorit bankar lokal. Aktivet totale kaluan nivelin prej 1.6 miliardë eurosh, portofoli i huave dhe depozitat u rritën ndjeshëm, ndërsa kthimi mbi kapitalin (ROE) qëndroi në nivele shumë të kënaqshme, duke konfirmuar efektivitetin e modelit tonë të biznesit”, pohon Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës, z. Dritan Mustafa.
——–
[1] “Taksat neto” nënkuptojnë taksat mbi produktet minus subvencionet që jep qeveria për sektorë të ndryshëm. Ato përfaqësojnë të ardhurat buxhetore që shtohen mbi vlerën e prodhimit për të arritur te PBB-ja në çmime tregu./Monitor.al


