Ushtria izraelite ka eliminuar një nga figurat kryesore të Hezbollahut në një sulm ajror në jug në Bejrut, duke shënuar goditjen më të rëndësishme ndaj grupit shiit libanez. Viktima është identifikuar si Haitham Ali al-Tabtabai, figurë veterane dhe shef i shtabit të Hezbollahut, i njohur për rolin e tij kyç brenda organizatës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmi goditi një ndërtesë banimi në lagjen e populluar Dahieh, duke shkaktuar të paktën pesë të vdekur dhe 28 të plagosur. Ekipet e shpëtimit punuan për orë të tëra mes rrënojave në kërkim të të mbijetuarve. Hezbollahu konfirmoi vdekjen e Tabtabait dhe akuzoi Izraelin për “shkelje të vijës së kuqe”. Ky është sulmi i parë ajror izraelit në jug të Bejrutit prej muajsh, në një periudhë tensioni të shtuar ndërmjet palëve.

Goditja vjen ndërsa Izraeli po intensifikon fushatën kundër objektivave që i konsideron të lidhura me Hezbollahun, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca që hyri në fuqi në nëntor. Sipas autoriteteve izraelite, Hezbollahu po përpiqet të rikrijojë kapacitetet ushtarake, të kontrabandojë armë në Liban dhe të rrisë prodhimin e dronëve.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi pas sulmit se Izraeli “nuk do të lejojë Hezbollahun të rrisë fuqinë e tij ushtarake dhe të kthehet në kërcënim”. Ai kërkoi që qeveria libaneze të “përmbushë angazhimin për çarmatosjen e Hezbollahut”. Sulmi ka rritur frikën për një përshkallëzim të ri rajonal, ndërsa armëpushimi mbetet gjithnjë e më i brishtë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *