Granit Xhaka po shkëlqen këtë sezon në Premier Ligë, ku është kthyer në një nga mesfushorët më vendimtarë dhe më të vlerësuar të kampionatit. 33-vjeçari me prejardhje shqiptare, i cili mbron ngjyrat e Sunderlandit, po udhëheq skuadrën e tij në sezonin e rikthimit në elitën e futbollit anglez.
Sipas platformës “WhoScored”, Xhaka renditet si mesfushori më i vlerësuar në tërë Premier Ligën, me notën 7.37. Ai ka lënë pas emra të rëndësishëm si Declan Rice, Moises Caicedo, Bruno Fernandes dhe Dominik Szoboszlai. Në këtë sezon, ai ka regjistruar një gol dhe tre asistime.
Xhaka iu bashkua Sunderlandit gjatë verës, duke u transferuar nga Bayer Leverkusen për 15 milionë euro, dhe tashmë mban shiritin e kapitenit tek “Macet e Zeza”.
Pas humbjes së fundit ndaj Fulhamit, ai shprehu zhgënjimin e madh në rrjetet sociale. “Humbjet gjithmonë dhembin, tani duhet të fokusohemi se si mësojmë prej tyre dhe si ecim përpara së bashku”, shkroi mesfushori i Zvicrës.
Në Angli, Xhaka po vazhdon të dëshmojë vlerën dhe përvojën e tij, duke u bërë lider i padiskutueshëm i Sunderlandit.

