Sot shënohen 28 vjet nga shpërthimi i luftimeve të para frontale ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore serbe.
Më 25 nëntor 1997, forcat e UÇK-së të udhëhequra nga komandanti Adem Jashari sulmuan një njësi të policisë serbe në Vojnik të Skenderajt, duke i detyruar të tërhiqeshin me humbje.
Të nesërmen, forcat serbe nisën një ekspeditë ndëshkimore me dhjetëra automjete të blinduara drejt zonës, por Adem Jashari me 10 luftëtarë të tjerë u zuri pritë. Pas katër orësh luftime të ashpra, policia serbe u detyrua të tërhiqej sërish.
Gjatë tërheqjes, të egërsuar nga humbjet, forcat serbe qëlluan pa dallim mbi civilët. Në fshatin Llaushë u vra mësuesi Halit Geci, në derë të shkollës ku shërbente. Ai u varros një ditë më vonë, më 28 nëntor 1997, në një ceremoni të madhe ku morën pjesë shumë banorë.
Në këtë ceremoni, me urdhër të Adem Jasharit, për herë të parë dolën publikisht në tribunë përfaqësues të UÇK-së, duke shënuar një moment historik në rrugën e rezistencës së armatosur.

