Situata në veriun e Kosovës vazhdon të jetë tejet e tensionuar. Serbët lokalë në komunat serbe të Mitrovicës kryen sulme të njëpasnjëshme ndaj forcave të policisë, ku në njërin prej këtyre sulmeve u plagos dhe një punonjës i policisë së Kosovës.
Situata e përshkallëzuar në terren, po reflektohet dhe në retorikën politike të Beogradit e cila tashmë ka ashpërsuar tonet dhe ka kaluar në kërcënime të hapura. Shefi i zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç deklaroi se Sebia mund të dërgojë 1000 trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët e Mitrovicës të cilët sipas tij kërcënohen nga sulmi i forcave të policisë së Kosovës. Petkoviç theksoi se Rezoluta 1244 i lejon Serbisë të veprojë me dërgimin e trupave në Kosovë duke iu referuar neneve 4 dhe 6 të kësaj rezolute.
Petkoviç akuzoi qeverinë e Kosovës se ka dërguar 350 forca policore në veriun e Mitrovicës për të terrorizuar serbët që jetojnë atje duke ripërsëritur se Beogradi do të bëjë gjithçka për të mos lejuar cënimin e serbëve në Kosovë.
Qeveria e Kosovës nga ana e saj vijon të shprehë vendosmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat serbe, ndërkohë që zërat që kërkojnë shtyrjen e tyre nuk kanë munguar. I fundit që kërkoi shtyrjen e këtij procesi zgjedhor ishte Derek Chollet, këshilltar i Departamentit të Shtetit amerikan. Ai i tha Zërit të Amerikës se këto zgjedhje duhet të shtyhen dhe se këtë çështje ai do e diskutojë javën e ardhshme gjatë vizitës së tij në Prishtinë.