Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Behar Topillës, të vetmit të mbijetuar të masakrës së kryer nga forcat serbe në Shavarinat të Çikatovës së Vjetër, në prill të vitit 1999. Topilla ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare në Suedi, pas një sëmundjeje.
Në statusin e tij, Kurti e cilëson “thellësisht pikëlluese” humbjen e tij, duke theksuar se Behari ishte simbol i mbijetesës dhe dëshmisë së krimeve serbe në Kosovë.
Masakra e Shavarinatës ndodhi mes 30 prillit dhe 1 majit 1999, kur forcat serbe granatuan dhjetëra fshatra të Drenasit e Skenderajt, duke detyruar mijëra qytetarë të braktisnin shtëpitë. Më 1 prill 1999, 176 persona u nxorën nga xhamia e Qirezit dhe, pas torturash, u çuan drejt vendit të ekzekutimit. Mes tyre ishte edhe Behar Topilla, i cili u plagos me thikë në duar e krahë dhe u vendos në radhë për pushkatim.
I mbuluar nga trupat e mbi 40 të vrarëve, Behari arriti t’u shpëtojë plumbave dhe shpërthimeve, duke mbetur dëshmitari i vetëm i gjallë i kësaj masakre. Rrëfimi i tij u bë një nga dëshmitë më të fuqishme të gjenocidit dhe spastrimit etnik të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Kryeministri Kurti shprehu ngushëllimet për familjen Topilla, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur, duke theksuar se Behari do të kujtohet gjithmonë bashkë me historinë dhe rrëfimet e tij të paharruara.

