Një përplasje mes dy të miturve në Durrës ka përfunduar me plagosjen e rëndë të një 15-vjeçari dhe arrestimin e një 14-vjeçari si autor të dyshuar të ngjarjes. Sipas Policisë së Durrësit, incidenti ka ndodhur më 25 nëntor në lagjen nr. 14/1, në rrugën “Lugina e Karavastasë”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, adoleshenti M. K., 14 vjeç, dyshohet se goditi me thikë të miturin E. B., 15 vjeç.
I plagosuri u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet nën kujdes të specializuar për shkak të dëmtimeve të rënda.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pas disa orësh kërkime në zona të ndryshme, efektivët arritën të lokalizonin dhe prangosnin të miturin M. K., ndërsa gjatë veprimeve hetimore u sekuestrua edhe mjeti prerës i përdorur në ngjarje.
14-vjeçari do të përballet me akuzat për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

