Nga Islam Lauka

Çdo president amerikan, kush më shumë e kush më pak, ka ndjekur interesat e tij dhe të vendit të vet, por secili prej tyre ka luftuar për një ideal a vlera të caktuara, pavarësisht se ka pasur raste kur edhe ato kanë mbetur në kuadrin e retorikës. Megjithatë, me të drejtë, presidenti amerikan Xhorxh Bush (i vjetri) është konsideruar si misionar i lirisë, sepse çliroi Kuvajtin nga regjimi i Sadam Huseinit, në vitin 1991. I tillë konsiderohet edhe Bill Klintoni, sepse çliroi Kosovën nga kthetrat e Sllobodan Millosheviçit, në vitin 1999.

I vetmi president që ka hequr dorë nga çdo ideal e vlerë, duket se është Donald Trump. Këtë e dëshmon propozimi i paraqitur këto ditë nga administrata amerikane për përfundimin e luftës në Ukrainë. Në thelb, Kievit i kërkohet që rajonet e Donbasit dhe Krimesë të njihen si territore të Rusisë; që të heqë dorë, përfundimisht, nga perspektiva e anëtarësimit në NATO; që të pranojë kufizime të qenësishme në numrin e trupave ushtarake dhe nivelin e armatimit (ushtria të mos e kalojë numrin 600 mijë vetë dhe të mos pajiset me raketa që janë të afta të godasin brenda territorit rus). Ndërkaq, Moskës, përveç shpërblimeve territoriale, i premtohet heqja graduale e sanksioneve, rianëtarësimi në G7, bashkëpunimi intensiv me SHBA-në, etj. Ukrainës i është lënë një afat prej rreth një jave, konkretisht deri të enjten e ardhshme, për të shqyrtuar ofertën amerikane. Siç shihet, ajo është formuluar në atë mënyrë që, si miratimi, ashtu edhe refuzimi i saj, e vënë Ukrainën në një pozitë tepër të rëndë. Presidenti Zelenski paralajmëroi se do të humbin ose dinjitetin, ose një partner kyç.

Presidenti Trump, i verbuar nga etja për fitim, duket se është i gatshëm të sakrifikojë territoret ukrainase, pasuritë, lirinë e pavarësinë e saj, për një arsye të vetme – sepse sheh te partneriteti me Putinin mundësinë e artë për të bërë para: duke marrë nga Rusia metale të rralla me rëndësi kritike për ekonominë amerikane; për të blerë prej saj hidrokarbure dhe për t’ua shitur shumë më shtrenjtë europianëve; për furnizimin e qëndrueshëm me uranium të pasur; apo për të shfrytëzuar Arktikun. Ai ka arritur deri aty sa të kërkojë që gjysma e të ardhurave nga përdorimi i supozuar i aseteve të ngrira ruse, për rindërtimin e Ukrainës, të shkojë në favor të SHBA-së; pra kërkon t’i shfrytëzojë edhe gërmadhat e luftës në Ukrainë, në interes të tij.

Ky nuk është një transaksion – term i përdorur shpesh nga vetë Trump për marrëdhëniet ekonomike midis shteteve. Ai po nxjerr në pazar lirinë dhe pavarësinë e një vendi tjetër, duke bërë tregti me vetë agresorin e tij, Vladimir Putinin. Ky është komercializim i çdo vlere e ideali, përfshirë lirinë, demokracinë dhe sigurinë, në radhë të parë të Ukrainës, por edhe më gjerë, të mbarë Europës.

Paqe po, por jo me çdo çmim. Ajo duhet të jetë e drejtë dhe konsensuale, jo e njëanshme. Kjo që po ofron Trump është një paqe tërësisht në kushtet putiniste. Si e tillë, është e papranueshme. Pavarësisht se sot Europa nuk është në gjendjen e saj më të mirë, e vetmja shpresë për t’iu kundërvënë planeve destabilizuese të dyshes Trump–Putin mbetet ajo. Dhe këtë duhet ta bëjë jo vetëm për vlerat dhe idealet që ajo mishëron dhe mbron, por edhe për interesat e saj jetike, që lidhen me sigurinë e saj, përballë një Rusie që po fuqizohet me ndihmën e presidentit amerikan dhe që po bëhet edhe më agresive në sajë të kësaj ndihme.

Donald Trump ka deklaruar se është e vështirë që ai të përfundojë në parajsë, për shkak të jetës mëkatare që ka bërë. Maninë e tij presidenciale si paqebërës shumë e lidhin me aspiratën për të larë mëkatet e mëparshme, me qëllim që t’i gjendet një vend në parajsë. Por me marrëveshjet “paqësore” në favor të agresorëve si Putini e Netanjahu, në kurriz të popujve ukrainas e palestinezë, zor të flitet për parajsën e Trumpit. Përkundrazi, duket se diskutimi do të jetë se cili rreth i ferrit është më i rëndi, që pikërisht aty t’i gjendet një vend mëkatarit të lirisë së popujve, Donald Trump.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *