Qindra hektarë tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme janë përmbytur mëngjesin e sotëm në fshatin Murqinë të Krujës, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura gjatë 24 orëve të fundit.
Lagjja e poshtme e Murqinës është izoluar plotësisht, pasi rruga që lidh zonën me pjesën tjetër të fshatit është mbuluar nga uji. Niveli i ujit arrin deri në 40 centimetra në disa segmente, duke e bërë rrugën të kalueshme vetëm me mjete të larta.
Deri tani nuk raportohet për dëme të tjera, por autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse reshjet vijojnë me intensitet dhe prurjet e lumit rriten nga zona e Tiranës.

