Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga kazerma “Adem Jashari” ka uruar “Ditën e Forcës” duke e cilësuar si ditën më të gëzuar për popullin e Kosovës. Ai theksoi investimet e mëdha të bëra në FSK gjatë viteve të fundit, të cilat, sipas tij, e kanë shndërruar ushtrinë e Kosovës në një forcë moderne dhe të pajisur mirë.
Kurti u shpreh se falë këtyre investimeve, brezat e rinj do të jenë më të sigurt dhe do të kenë mundësi të jetojnë në paqe e zhvillim. Ai kujtoi sakrificën e dëshmorëve, duke veçuar kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, si dhe kontributin e veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së.
“Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në katër vitet e fundit. Dikur ushtria jonë ishte më pak e pajisur edhe sesa Policia e Kosovës, ndërsa sot ka teknologji moderne që po rritet vazhdimisht,” tha Kurti.
Ai nënvizoi se FSK ka sot dyfish më shumë kapacitete tokësore dhe ajrore, përfshirë pajisjen me dronë, si dhe paralajmëroi ngritjen e fabrikës së municionit dhe prodhimit të dronëve “Made in Kosova”.

