Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, është shpallur “Non grata” nga autoritetet greke, duke iu ndaluar hyrja në territorin e Greqisë. Vendimi është bërë i ditur nga vetë Kalaja përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ai sqaroi se akuzohet nga shteti grek për racizëm dhe për rrezikimin e sigurisë kombëtare.

Kalaja shprehet se ka tentuar të nisë një proces gjyqësor në Greqi, por përpjekjet e tij kanë dështuar. Sipas tij, tre avokatë grekë që e kishin marrë përsipër çështjen janë tërhequr menjëherë pas kontaktit të parë me policinë greke, ndërsa pa shteruar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Greqi, ai nuk mund t’i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

I bindur në pafajësi dhe në njëanshmërinë e vendimit, Kalaja vendosi ta bëjë publik lajmin. Ai thekson se ndihet i fyer nga masa e marrë, duke nënvizuar se nuk ka bërë kurrë deklarata apo veprime raciste, dhe se nuk ka shkelur asnjë ligj të Greqisë. Po ashtu, ai rrëfen se është ndjerë keq në momentet kur në kufijtë e Europës është ndarë nga udhëtarët e tjerë dhe është marrë në pyetje për shkak të shënimit të autoriteteve greke në pasaportën e tij—të cilën nuk e ka ndryshuar, pavarësisht se kanë kaluar vite nga vendosja e ndalesës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *