Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka qenë i përfshirë në vrasjet me snajperë në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ka deklaruar gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiq.
Në një intervistë për Balkan Talks në Euronews Albania, ku foli mbi hetimin e tij të fundit lidhur me këtë çështje, Margetiq tha se materiali investigativ përfshin dëshmi dhe dokumente që tregojnë se Vuçiqi ka qenë pjesë e një njësie paraushtarake serbe që vepronte në afërsi të Sarajevës.
Sipas tij, kjo njësi paraushtarake udhëhiqej nga Mirko Blagojeviq dhe kishte leje të veçantë kalimi të lëshuara nga institucionet serbe të asaj kohe. Margetiq deklaroi se Vuçiq shoqëronte të ashtuquajturit “klientë” dhe mbante identifikim të shërbimeve sekrete serbe.
“Në afërsi të Sarajevës, ata udhëhiqeshin nga njerëz të një njësie paraushtarake. Ajo që zbulova është se Vuçiq ishte një nga ata që shoqëronte ‘klientët’ dhe mbante identifikim të shërbimeve sekrete serbe. Mirko Blagojeviq ka thënë se Vuçiq ishte ai që mundësonte lëvizjen e tyre”, tha Margetiq.
Ai shtoi se informacionet që ka përdorur vijnë nga ish-pjesëtarë të forcave paraushtarake serbe dhe nga ushtarë të asaj periudhe.
“Kzy ‘safari’ drejtohej nga Sllavko Aleksiq dhe Vuçiq ishte pjesë e njësisë”, theksoi gazetari kroat, duke shtuar se në raportin e tij nuk fajëson popullin serb, por individët e përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Deklaratat e Margetiqit kanë shkaktuar reagime të shumta në rajon, duke rikthyer vëmendjen te aktivitetet paraushtarake gjatë rrethimit të Sarajevës dhe roli i zyrtarëve të sotëm në ngjarjet e luftës.
Ndërkohë, avokati serb Çedomir Stojkoviq ka publikuar raportime për të ashtuquajturën “Safari e Snajperëve” dhe ka ngritur padi ndaj Vuçiqit për këtë çështje. Sipas raportimeve, “safari” ishte organizuar nga njësitë e udhëhequra nga Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, me qëllim vrasje të civilëve në Sarajevë gjatë rrethimit të viteve 1992–1996. Hetimet për këtë aktivitet janë hapur nga një prokuror italian.
Stojkoviq ka publikuar edhe pamje të Aleksandar Vuçiqit nga ajo periudhë, ku ai shfaqet duke mbajtur një pushkë snajper në kodrat prej të cilave civilë sarajevas u qëlluan gjatë luftës.

