Protesta e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 qytetarë përpara godinës së Kryeministrisë, u thirr nga opozita e kohës pas publikimit të video-përgjimit të Ilir Metës, ku ai shfaqej në një bisedë me ministrin Dritan Prifti, ndërsa përmendej edhe një shifër prej 700 mijë dollarësh.

14 vite pas demonstratës së dhunshme, ish-presidenti Ilir Meta i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme me kërkesë për t’u thirrur dhe pyetur si person në dijeni lidhur me rrethanat e ngjarjes.

“Unë, Ilir Meta, duke qenë se kam dijeni dhe mund të jap dëshmi të vlefshme për rrethanat e asaj ngjarjeje, dëshmi të cilat nuk janë të njohura nga organi procedues dhe që mund t’i shërbejnë për të zbardhur ngjarjen”, thuhet në kërkesën drejtuar prokurorit të posaçëm Alfred Shehu.

SPAK po heton për akuzat e “vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka marrë pas një dekade e gjysmë dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të brendshëm Lulzim Basha.

Më 21 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u vranë Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Për vrasjen e Myrtajt dhe Veizit janë dënuar me 1 vit burg ish-kreu i Gardës Ndrea Prendi dhe me 3 vite burg ish-gardisti Agim Llupo. Dy vrasjet e tjera kanë mbetur pa autorësi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *