Burime diplomatike kanë bërë të ditur se shërbimi sekret turk (MIT) ka vendosur të kufizojë dërgimin e informacionit të klasifikuar drejt Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu. Sipas raportimeve, autoritetet turke nuk po e furnizojnë më ministrin shqiptar me të dhëna të ndjeshme ushtarake, duke zgjedhur t’i dërgojnë ato drejtpërdrejt te Kryeministri Edi Rama.
Ky vendim lidhet me shqetësimet e ngritura nga pala turke për kredencialet dhe besueshmërinë e Ministrit Vengu, përfshirë këtu pretendimet për shtetësinë e tij greke dhe çështje të tjera të brendshme që konsiderohen me rëndësi të veçantë për partnerët strategjikë.
Turqia, një nga aleatet më të rëndësishme të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe modernizimit të forcave të armatosura, duket se ka zgjedhur të ndërmarrë masa shtesë sigurie – një veprim i pazakontë për marrëdhëniet dypalëshe, por që sipas vlerësimeve synon mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të aleancës.
Ndërkohë, nga Ministria e Mbrojtjes nuk është dhënë ende një reagim zyrtar.

