Burime nga parlamenti bëjnë me dije se Endri Shabani pritet të marrë mbështetjen e Partisë Socialiste për t’u zgjedhur Avokati i ri i Popullit.

Seanca për zgjedhjen e Avokatit të Popullit do të zhvillohet më 11 dhjetor, ku po ashtu do të shqyrtohet edhe buxheti për vitin 2026.

Pak ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se PS nuk do të propozojë kandidatë për këtë pozicion, por do të mbështesë ata të propozuar nga opozita. Ai shtoi se mazhoranca do të presë përfundimin e afatit zyrtar për dorëzimin e kandidaturave para se të japë qëndrimin e saj përfundimtar.

Endri Shabani, i cili kishte mbledhur më shumë se 28 firma nga deputetët demokratë, duket se nuk ka më mbështetjen e tyre për të kandiduar. Burimet nga Pd shprehen se gjatë ditës së sotme, në kuadër të negociatave me Partinë Socialiste, deputetët e PD-së që kishin firmosur për Shabanin i kanë tërhequr firmat, duke e bërë të pamundur kalimin e tij në fazën finale të procesit, atë të votimit në parlament.

Shabani ka qenë një nga emrat më të pranuar nga socialistët nga lista me shtatë kandidatë që erdhi nga opozita, gjë që mund të ketë ndikuar në tërheqjen e mbështetjes nga deputetët demokratë.

I pyetur në konferencën e sotme për shtyp nëse do të mbështetet kandidatura e Shabanit, kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk e përmendi emrin, duke lënë të kuptohet se demokratët kanë kandidatët e tyre për këtë proces.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *