Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po i afrohet fundin, pasi mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë njoftuar zyrtarisht se nuk do të sjellin më dëshmitarë apo prova të reja.
Në parashtresat e fundit, të siguruara nga Nacionale, të dy ekipet mbrojtëse konfirmojnë se çështjet e tyre tashmë konsiderohen të mbyllura. Mbrojtja e Thaçit thekson se nuk ka më asnjë dokument apo provë për të paraqitur dhe se ky hap bëhet në përputhje me rregulloren e gjykatës. Një njoftim i njëjtë është bërë edhe nga ekipi i Krasniqit.
Ky zhvillim pason refuzimin e kërkesës për ta shtuar Bislim Zyrapin në listën e dëshmitarëve, çka duket se ka qenë momenti i fundit ku mbrojtja ka kërkuar të zgjerojë listën e provave.
Në seancën e fundit, prokuroria dhe mbrojtja kërkuan shtyrje të afateve për dorëzimin e dosjeve përfundimtare dhe për mbajtjen e fjalëve finale. Megjithatë, Gjykata Speciale vendosi një kalendar tjetër.
Sipas vendimit të fundit:
19 janar – afati i dorëzimit të dosjeve përfundimtare,
9–13 shkurt, si dhe 16 dhe 18 shkurt – mbajtja e fjalëve përfundimtare.
Pas kësaj faze, gjyqtarët do të kenë rreth tre muaj kohë për të marrë vendimin. Si rezultat, aktgjykimi i shkallës së parë për Thaçin dhe të tjerët pritet të shpallet në fund të majit, ose maksimalisht në fillim të qershorit.

