Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi në seancën plenare se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Energjetikës e Infrastrukturës është plotësisht i ligjshëm dhe nuk cenon Kushtetutën.
Sipas Bardhit, imuniteti i deputetit parashikon vetëm mbrojtjen ndaj arrestimit dhe kontrollit të banesës, por nuk e përfshin masën e pezullimit nga detyra. Për këtë arsye, ai theksoi se qeveria nuk ka baza për të kundërshtuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Ai solli në vëmendje edhe praktika të Komisionit të Venecias, duke përmendur një rast të trajtuar në Kosovë, ku komisioni ka rekomanduar që masa e pezullimit duhet të aplikohet jo vetëm për ministrat, por edhe për të zgjedhurit e tjerë publikë, kur kjo është e nevojshme për mbarëvajtjen e hetimeve.
“Komisioni i Venecias ka thënë qartë se pezullimi nga funksioni publik është masë legjitime për mbrojtjen e hetimeve. Madje ka këshilluar që kjo masë të shtrihet edhe tek të zgjedhurit, përtej ministrave. Pra, e kundërta e asaj që pretendon Rama për të mashtruar publikun dhe për të ushtruar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se asnjë vendim i GJKKO-së nuk ka cenuar imunitetin e parashikuar në Kushtetutë, duke akuzuar qeverinë se po përdor argumente të pavërteta për të krijuar presion institucional.

