Ushtria amerikane ka kryer një tjetër goditje ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës, duke njoftuar eliminimin e katër personave të përshkruar si “narko-terroristë” në Paqësorin Lindor. Operacioni u konfirmua nga Komanda Jugore e SHBA-së përmes platformës X, me urdhër të Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth.
Sipas deklaratës, inteligjenca amerikane kishte marrë informacione se anija e shënjestruar transportonte lëndë narkotike të paligjshme dhe po lëvizte përgjatë një rruge të njohur për trafik droge. “Katër narko-terroristë meshkuj në bordin e anijes u vranë”, thuhet në njoftim.
Që prej shtatorit, SHBA-të kanë kryer të paktën 22 sulme ajrore në Detin e Karaibeve dhe në Oqeanin Paqësor Lindor kundër mjeteve të dyshuara për trafik narkotikësh, duke vrarë mbi 87 persona. Goditja më e fundit vjen mes debatit të vazhdueshëm për një operacion të shtatorit në Karaibe, ku është pretenduar se Hegseth kishte urdhëruar vrasjen e të mbijetuarve — pretendim që administrata amerikane e mohon.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar ndërhyrjen e dytë, por këmbëngul se nuk ka pasur urdhra të tillë. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se Hegseth kishte autorizuar komandantin e Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së, admiral Frank Bradley, të ekzekutonte sulmet më 2 shtator, duke vepruar sipas autoritetit dhe ligjit.
Në muajt e fundit, SHBA ka zgjeruar ndjeshëm praninë ushtarake në Amerikën Latine, duke vendosur marinsa, anije luftarake, avionë, bombardues, nëndetëse dhe dronë për të goditur rrjetet e trafikut të drogës.

