Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se vendi nuk do të përballet me mungesë të gazit, pasi së shpejti pritet të firmoset një kontratë afatshkurtër me Rusinë për furnizim me gaz të vendit. Ai u shpreh se marrëveshja e re do të sigurojë çmime të favorshme dhe stabilitet energjetik deri në verën e vitit të ardhshëm.
“Presim nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër me çmime të mira. Deri në verë nuk do të kemi asnjë problem me furnizimin me gaz, dhe kjo është një lajm i mirë për qytetarët”, tha Vuçiç në një intervistë për televizionin Pink më 4 dhjetor.
Serbia varet plotësisht nga importi i gazit rus, ndërsa kontrata e mëparshme ka skaduar në maj dhe ende nuk është zëvendësuar me një marrëveshje të re. Vuçiç tha gjithashtu se një zhvillim pozitiv është vendimi i SHBA-së për të zgjatur licencën e kompanisë ruse Lukoil deri më 26 prill të vitit 2026.
“Lukoil në Serbi ka 112 pika karburanti dhe do të mund të vazhdojë funksionimin duke importuar derivatet e naftës”, u shpreh presidenti serb.
Megjithatë, tensionet mbeten të larta. Që prej 9 tetorit, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të aksionerëve rusë, çka ka çuar në ndërprerjen e punës së rafinerisë së Pançevës më 2 dhjetor për mungesë të naftës së papërpunuar.
Duke komentuar mundësinë e sanksioneve dytësore të SHBA-së ndaj Bankës Popullore të Serbisë dhe bankave tregtare në rast transaksionesh me NIS-in, Vuçiç pranoi rrezikun, por theksoi se Serbia nuk duhet të paguajë çmimin e konfliktit të interesave midis fuqive të mëdha.
“SHBA-ja ndjek interesat e veta deri në fund, pa marrë parasysh koston për Serbinë, ndërsa Rusia vepron njësoj për interesat e veta… Ne nuk jemi të detyruar të vuajmë për shkak të marrëdhënieve të tyre”, tha ai.

