Prokurorja Antoneta Sevdari ka ngritur një padi ndaj shtetit shqiptar, pak kohë pasi fitoi gjyqin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) lidhur me shkarkimin e saj nga procesi i Vettingut. Vendimi i Strasburgut, i cili konstatoi shkelje të të drejtave të saj gjatë rivlerësimit, i hapi rrugën rikthimit të Sevdarit në sistemin e drejtësisë dhe kërkesës së saj për dëmshpërblim financiar.
Sevdari kërkon kompensimin e plotë të pagave të pamarra për një periudhë pesëvjeçare, që nga momenti i shkarkimit e deri më sot, si dhe pagesën e kontributeve shoqërore e shëndetësore. Në kërkesë përfshihet edhe periudha kur ajo ishte anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga viti 2019 deri në vitin 2021.
Sipas padisë, vendimi i GJEDNJ-së e bën të pavlefshëm shkarkimin, duke i hapur rrugë pretendimit të saj se ka qenë padrejtësisht jashtë detyrës për disa vite. Prokurorja argumenton se shteti ka detyrimin të kompensojë jo vetëm pagat, por edhe të gjitha të drejtat e tjera të humbura për shkak të vendimit të gabuar të organeve të Vettingut.
Rasti i Sevdarit konsiderohet një ndër më të rëndësishmit që lidhen me procesin e Vettingut, pasi mund të hapë precedent edhe për ish-magjistratë të tjerë që kanë fituar ose presin vendim nga Strasburgu. Nëse kërkesa e saj pranohet, shteti shqiptar mund të përballet me detyrime financiare të konsiderueshme.
Gjykatat administrative pritet të shqyrtojnë kërkesën në javët në vijim, ndërsa interesi publik për këtë çështje mbetet i lartë për shkak të ndikimit që mund të ketë në reformën e drejtësisë.

