Një oficer rezervist i ushtrisë izraelite ka humbur jetën pasi kreu vetëvrasje, si pasojë e traumave psikologjike të lidhura me pjesëmarrjen e tij në ofensivën tokësore në Gaza. Lajmi është bërë publik nga Israel Hayom, që raporton se 28-vjeçari, pjesë e brigadës Givati, vuante nga një gjendje e rëndë stresi post-traumatik (PTSD) që e kishte shoqëruar që prej ditëve të para të luftës.
Oficeri, i identifikuar si Thomas Edzgoscus, kishte treguar hapur në rrjetet sociale se ndihej “i shkatërruar dhe i humbur”, duke e përshkruar gjendjen e tij si një “betejë mendore” që nisi pas 7 tetorit. Në mesazhet e tij të fundit, ai shkruante:
“Nuk mundem më. Jam i shkatërruar dhe i rrënuar… Kam bërë gjëra që nuk mund të falen dhe s’mund të jetoj më me to. Ka dy vjet që nuk po arrij të jetoj me veten time.”
Ai shtonte se “brenda vetes kishte një demon që e përndiqte që prej 7 tetorit”, ndërsa u bënte thirrje të tjerëve ta kujtonin “Thomasin oficer dhe komandant të snajperëve”, duke theksuar se “ai Thomas kishte vdekur më 7 tetor”.
Rritje e alarmante e rasteve të vetëvrasjeve dhe PTSD-së në ushtri
Sipas të dhënave zyrtare izraelite të publikuara në fund të tetorit, vetëm në 18 muajt e fundit janë regjistruar 279 tentativa vetëvrasjeje mes personelit ushtarak, shifra që lidhen kryesisht me pasojat psikologjike të luftës. Raporte të ndryshme bëjnë të ditur se mijëra ushtarë janë diagnostikuar me PTSD që prej nisjes së ofensivës në Gaza.
Media izraelite dhe burime të pavarura theksojnë se shumë prej këtyre rasteve janë të lidhura ngushtë me skenat e rënda të luftimeve, humbjen e shokëve të njësisë dhe barrën emocionale të ngjarjeve traumatike. Disa raportime madje sugjerojnë se ushtria ka tentuar të fshehë një pjesë të rasteve dhe të kryejë varrime pa ceremoni ushtarake për të mos ekspozuar përmasat e krizës.
Mungesa e forcave shtyn ushtrinë të rikthejë ushtarë me PTSD në front
Situata është rënduar edhe më shumë nga mungesat e personelit aktiv, çka ka bërë që ushtria izraelite të rikthejë në vijën e parë të luftimeve edhe ushtarë tashmë të diagnostikuar me PTSD. Kjo praktikë ka ngritur shqetësime serioze brenda dhe jashtë Izraelit, pasi konsiderohet e rrezikshme si për ushtarët ashtu edhe për operacionet ushtarake.

