Një skandal i ri ka shpërthyer në Maqedoninë e Veriut pas publikimit të një fotografie nga analistja Nafie Selmani, e cila tregon se në librat zyrtarë të gjeografisë për klasën e shtatë Kosova paraqitet me emërtimin “Metohi”. Ky është një term që Serbia e ka përdorur historikisht me ngarkesë politike dhe fetare, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të saj.
Fotografia e librit, e qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, ka shkaktuar debat të ashpër dhe reagime të menjëhershme. Selmani ka kritikuar ashpër subjektin politik “VLEN”, pjesë e qeverisë së Shkupit, si dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se ky emërtim nuk duhet të tolerohej në asnjë rrethanë.
Sipas saj, fakti që një botim zyrtar i vitit 2025 e identifikon Kosovën si “Metohi” përbën cenim të rëndë ndaj identitetit kombëtar shqiptar dhe pasqyrim të narrativave serbe në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut.
“A është për burrat e VLEN-it Kosova – Kosovë, apo ‘Metohia’? A është i njoftuar për këtë emërtim mbështetësi i tyre më i madh politik, kryeministri i Kosovës? A pajtohet edhe ai që Kosova qenka ‘Metohi’?”, shkruan ndër të tjera Selmani në reagimin e saj.
Ajo shton se politikanët shqiptarë në Maqedoni po dështojnë të mbrojnë çështjet më elementare të identitetit kombëtar, duke e cilësuar këtë botim si “skandaloz” dhe duke kërkuar tërheqjen e tij të menjëhershme nga qarkullimi.

