Kryetari i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, ka reaguar pas aksionit të zhvilluar nga aktivistët e lëvizjes në Milano, duke e cilësuar atë një shembull domethënës të forcës dhe angazhimit të diasporës shqiptare.

Sipas Qorit, disa aktivistë udhëtuan qindra kilometra nga qytete të ndryshme të Italisë për të shprehur pakënaqësinë e tyre para konsullatës shqiptare dhe në sheshin kryesor të qytetit. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, për të cilin Qori tha se “jo vetëm na ka vjedhur, por edhe po na turpëron para botës”.

Në reagimin e tij, ai kritikoi ashpër mënyrën se si qeveria i trajton shqiptarët jashtë vendit, duke theksuar se pushtetarët e korruptuar shohin vetëm remitancat, të cilat kapin mbi 1 miliard euro në vit dhe mbulojnë dështimet e shtetit në sektorë jetikë si shëndetësia dhe pensionet. “Në këmbim u japin vetëm pseudopatriotizëm të hajdutëve,” u shpreh Qori.

Ai vlerësoi se diaspora shqiptare është sot më e ndërgjegjshme dhe më e gatshme se kurrë për të kontribuar në ndërtimin e një Shqipërie me shtet të së drejtës, demokraci të mirëfilltë dhe drejtësi sociale.

Në fund të deklaratës, Qori përshëndeti aktivistët e Lëvizjes BASHKË në Itali për përkushtimin e tyre dhe i ftoi qytetarët t’i bashkohen lëvizjes përmes platformës së anëtarësimit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *