Situata te Liverpool po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, teksa Mohamed Salahu është përfshirë në një konflikt të hapur me trajnerin Arne Slot. Sulmuesi egjiptian ka shprehur publikisht pakënaqësinë e tij, duke deklaruar pas ndeshjes në “Elland Road”: “Papritmas nuk kemi asnjë marrëdhënie. Duket sikur klubi më ka hedhur poshtë dhe fajin e kërkojnë vetëm tek unë.”
Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht nga Wayne Rooney. Legjenda e futbollit anglez e ka kritikuar hapur sjelljen e Salah, duke theksuar se trajneri Arne Slot duhet të tregojë autoritet.
“Slot duhet t’i thotë se nuk udhëton me skuadrën. Çfarë ka thënë Salah është e papranueshme. Ai po dëmton trashëgiminë e vet te Liverpool. Është i papërgjegjshëm ndaj shokëve të ekipit, trajnerit dhe tifozëve,” – u shpreh Rooney.
Sipas tij, Salah ka krijuar një atmosferë negative në dhomën e zhveshjes, sidomos në një moment kur skuadra ka shumë lojtarë të rinj dhe po kalon një periudhë të vështirë. Liverpool po përballet me një krizë sportive, të thelluar nga largimi i Luis Díaz dhe tragjedia e humbjes së Diogo Jota në një aksident rrugor.
Edhe pse statistikat e Salah mbeten mbresëlënëse – 250 gola në 420 ndeshje që nga viti 2017 – forma e tij këtë sezon ka qenë larg pritshmërive. Rooney e përfundoi kritikën e tij duke theksuar: “Deklaratat e tij ishin arrogante në një moment kur Liverpool ka më shumë nevojë për të.”

