Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shpalosur projektin e tij politik për rrëzimin e qeverisë, gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, ku foli për takimin e zhvilluar me strukturat e PD në Durrës.

Sipas Salianjit, në atë takim morën pjesë rreth 500 persona dhe figura të rëndësishme të degës së PD-së në këtë qytet.

“Dje në Durrës ishte struktura e PD: kryetari i degës, dy nënkryetarët, sekretari i degës, më të votuarit e primareve. Ishin Ilir Alimehmeti, Ndrec Pjetri, Aulon Kalaja, Hysen Kadiu. Shkova për ta zgjuar dhe për ta ripërtërirë PD-në,” – u shpreh Salianji.

Ai theksoi se demokratët nuk duhet të presin zgjedhjet e radhës për të reaguar, por kërkoi një lëvizje më të fortë politike brenda opozitës.

“S’mund të presim të vijnë zgjedhjet e tjera e të qajmë prap. Unë dua të mund Edi Ramën. Anëtarësia e PD kërkon revoltë, ne bëjmë foltore. Anëtarësia kërkon analizë, ne themi që zgjedhjet janë vjedhur,” – deklaroi ai.

I pyetur për synimet personale, Salianji mohoi se kërkon poste drejtuese brenda Partisë Demokratike.

“Nuk dua funksion në PD. Kam një lloj kontributi në PD, opozitë bëj sepse dua. Nuk paguhem dhe nuk kam interes personal. Personalen ma ktheu Edi Rama, që më dënoi për politikë,” – tha Salianji.

Ai theksoi se lëvizja e tij synon zgjerimin e frymës së angazhimit brenda opozitës dhe jo përfitime personale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *