Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ankimin në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres dhe zëvendëskryeministres nga GJKKO. Në deklaratën e saj, Shoqata thekson se retorika e përdorur nga kreu i qeverisë, nën pretendimin për tejkalim të kompetencave nga gjyqësori, krijon një sinjal të qartë presioni ndaj institucioneve të drejtësisë që po trajtojnë këtë çështje.
Sipas Shoqatës, mesazhet publike të Ramës kultivojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të shërbejnë më pas si bazë për ndërhyrje që minojnë pavarësinë e tij. Reagimi vjen teksa Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë nëse do të marrë në shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin e Ballukut.
Shoqata rikujton se ndarja dhe balancimi i pushteteve janë parime themelore të demokracisë, ndërsa çdo deklaratë që perceptohet si presion politik përbën rrezik serioz për pavarësinë e gjyqësorit. Sipas tyre, edhe Komisioni Evropian ka evidentuar në raportet e tij për Shqipërinë raste të vazhdueshme të presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë.
Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe dyshohet gjithashtu për ndërhyrje në tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe, ku SPAK pretendon se ka paracaktuar fituesit e garës.

