Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka zgjedhur sot Joni Ketën si drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas propozimit të bërë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Keta mori 11 vota pro nga anëtarët e KLP-së, duke siguruar një mandat pesëvjeçar në krye të strukturës shpesh të quajtur “FBI-ja shqiptare”.

Para emërimit, Keta shërbente si zëvendësdrejtor i BKH-së. Ai u përzgjodh pas një procesi rekrutimi disa mujor, ku garuan 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe prokurorë me eksperiencë në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërrimi i drejtimit vjen pas përfundimit të mandatit të parë të BKH-së, që mbahej nga Aida Hajnaj. Procesi i përzgjedhjes u ndoq nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe të Bashkimit Europian, të cilët ishin të pranishëm edhe gjatë votimit.

Gjatë garës, Keta u përball me kandidatët Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.

Me zgjedhjen e tij, BKH nis fazën e dytë të funksionimit, duke synuar të forcojë kapacitetet për hetimin dhe mbështetjen e SPAK në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *