Ministria e Brendshme italiane ka hartuar tashmë planin për rihapjen dhe funksionimin e qendrave të pritjes në Shqipëri, një proces që pritet të nisë që në pranverë, sapo të miratohen tre rregulloret e reja mbi migracionin nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, pjesë e Paktit të ri për azilin dhe migracionin që hyjnë në fuqi më 12 qershor të vitit të ardhshëm.

Sipas projektit të ministrit italian të Brendshëm, Matteo Piantedosi, qendra në Gjadër do të përdoret për azilkërkues që vijnë nga “vendet e sigurta”, të cilët do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Ndryshe nga modeli fillestar, emigrantët nuk do të kontrollohen më në bord të anijeve të Marinës, por do të transferohen drejt Shqipërisë menjëherë pas mbërritjes në hotspot-et italiane, pavarësisht nëse udhëtimi i tyre ka ndodhur përmes mjeteve detare italiane, gomoneve apo makinerive të shpëtimit të OJQ-ve.

Falë rregullave të reja evropiane, qendra shqiptare do të konsiderohet si zonë rikthimi në një vend të tretë të sigurt, gjë që u mundëson autoriteteve italiane të mbajnë aty aplikuesit për azil nga vende të sigurta deri në përfundimin e procedurave. Qeveria italiane vlerëson se këtë herë bëhet fjalë për flukse shumë më të mëdha, pasi lista e unifikuar e BE-së për vendet e origjinës së sigurta do të mundësojë transferimin e emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti — dy prej vendeve nga të cilat në vitin 2025 kanë ardhur mbi 28 mijë persona, thuajse gjysma e të gjitha mbërritjeve.

Sipas planit, kapaciteti prej rreth 1.100 vendesh në Gjadër mund të mbushet shpejt, pasi procedurat e përshpejtuara parashikojnë kthimin e emigrantëve brenda një muaji. Për më tepër, ndryshe nga më parë, emigrantët nuk do të kenë më mundësi që nëpërmjet ankesave gjyqësore të pezullojnë ndalimin dhe të rikthehen në Itali në pritje të vendimit përfundimtar.

Një nga rregullat e reja të miratuara nga Këshilli i BE-së parashikon se apelimi nuk pezullon automatikisht kthimin, përveç rasteve kur gjyqtari vendos ndryshe. Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, e cilësoi këtë si “një hap drejt qartësimit gjyqësor dhe operacional”, duke theksuar se mekanizmi i ri shmang çdo paqartësi në sistemin aktual.

Qeveria italiane po përgatitet të aktivizojë sërish modelet e transfertave drejt Shqipërisë, e mbështetur në listën e re të vendeve të sigurta, e cila pritet të adresojë të gjitha kundërshtimet e ngritura më herët nga gjykatat italiane. Këto vendime kishin çuar në anulimin e ndalimeve dhe në mbajtjen pothuajse bosh të qendrës së Gjadrit, një strukturë që Konferenca Ipeshkvnore Italiane e ka cilësuar “në kufijtë e demokracisë”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *