Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka sinjalizuar për herë të parë gatishmëri për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, të cilat ishin shtyrë pa afat për shkak të luftës me Rusinë. Deklarata vjen pas ultimatumit të presidentit amerikan, Donald Trampit, i cili ka kërkuar prej kohësh që Ukraina të rikthehet në procesin zgjedhor.

Zelenski bëri të ditur se nesër do të jetë në Ukrainë dhe se pret propozime nga partnerët perëndimorë dhe deputetët ukrainas për ndryshimet ligjore që do të lejonin mbajtjen e zgjedhjeve edhe nën gjendje të jashtëzakonshme. “Meqenëse kjo çështje është ngritur nga presidenti i SHBA-së dhe partnerët tanë evropianë, do të jem i shkurtër: jam gati,” theksoi ai.

Ai u kërkoi SHBA-së dhe Evropës të garantojnë sigurinë e procesit zgjedhor, duke shtuar se, nëse kjo sigurohet, Ukraina mund të shkojë në zgjedhje brenda 60 deri në 90 ditësh.

Në anën tjetër, Trampi përsëriti kërkesën e tij që Ukraina të organizojë zgjedhje sa më parë. “Ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë. Flasin për demokraci, por po arrijnë në një pikë ku kjo nuk është më demokraci,” u shpreh ai.

Këto zhvillime vijnë në një moment kur Zelenski përballet me dobësim politik të shkaktuar nga një skandal korrupsioni që përfshin edhe bashkëpunëtorë të tij të afërt.

Përveç çështjes së zgjedhjeve, Zelenski bëri edhe një pranim të rëndësishëm për situatën në front. Ai deklaroi se aktualisht Ukraina nuk ka forcën dhe as mbështetjen e mjaftueshme të aleatëve për të rimarrë Krimenë dhe territorët e tjera të pushtuara nga Rusia.

“Do të jem i sinqertë: sot nuk kemi forcën për t’i arritur këto. Nuk kemi mbështetje të mjaftueshme,” u shpreh Zelenski, duke pranuar kufizimet aktuale të vendit në luftë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *