Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin e rëndë të kryer një vit më parë në kanalin e Ibër-Lepencit, ku janë përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv. Mes të akuzuarve është edhe një toger i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Serbisë (VBA), i dyshuar për spiunazh.
Në aktakuzë përfshihen vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, si dhe Igor Dimiqi. Dy vëllezërit akuzohen për “Rrezikim të rendit kushtetues” dhe “Terrorizëm”, ndërsa të tre për armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, sulmi është kryer në infrastrukturën kritike në fshatin Varagë të Zubin Potokut, duke dëmtuar rëndë strukturën e betonit të kanalit strategjik që furnizon me ujë komunat e Mitrovicës dhe Prishtinës.
“J.V. dhe D.V. e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë, rrezikim të prodhimit të energjisë elektrike dhe dëm prej 376,774.70 eurosh”, thuhet në njoftim.
Prokuroria thekson se Jovan Viqentijeviqi, toger i inteligjencës ushtarake serbe, akuzohet gjithashtu për spiunazh, pasi dyshohet se ka mbledhur informacione të klasifikuara për llogari të shërbimit serb deri në momentin e arrestimit.
Aktakuza është ngritur nga prokurori special Bekim Kodraliu.
Sulmi në Ibër-Lepenc shkaktoi ndërprerje të gjera të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kërcënoi funksionimin e Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila siguron ujin e ftohjes për termocentralet përmes këtij kanali.
Ky është sulmi i dytë i përmasave të mëdha i atribuuar Serbisë nga institucionet e Kosovës, pas atij në Banjskë më 24 shtator 2023. Megjithëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq publikisht ka premtuar bashkëpunim, Beogradi nuk i është përgjigjur kërkesave të Prokurorisë Speciale për ndihmë në hetime.

