Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë po zhvillohet sot dëgjesa vendimtare që do të përcaktojë emrin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Katër prokurorë me eksperiencë të gjatë në hetimin e çështjeve të rënda shpalosin vizionin e tyre para anëtarëve të KLP-së, në një prej proceseve më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.
Kandidatët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Klodjan Braho dhe Elvin Gokaj prezantojnë prioritetet e tyre për drejtimin e institucionit, mënyrën e administrimit të dosjeve të ndjeshme dhe qasjen ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dëgjesa publike shënon fazën finale të procesit, ndërsa vendimi pritet pas shqyrtimit të pikëzimit dhe performancës së secilit kandidat. Interesi publik mbetet i lartë, pasi drejtuesi i ri i SPAK do të ketë në dorë disa prej dosjeve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare dhe një mandat kyç për besueshmërinë e institucionit.

