Kreu në ikje i SPAK, Altin Dumani, gjatë një ligjërate në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, dha një deklaratë të fortë në drejtim të Policisë së Shtetit, duke theksuar se vetëm gjatë viteve të funksionimit të SPAK janë hetuar dhe gjykuar mbi 70 efektivë policie. Hetimet kanë prekur të gjitha nivelet, nga patrullat e zakonshme deri te vartës të lartë të përfshirë në korrupsion dhe në bashkëpunim me grupe kriminale. Sipas Dumanit, korrupsioni ka depërtuar në çdo hallkë të shtetit dhe policia nuk përbën përjashtim.
Qëndrimi i Dumanit vjen në një moment kur Policia e Shtetit drejtohet nga Ilir Proda, periudhë në të cilën skandalet me uniformat blu janë shtuar ndjeshëm. Edhe pse Dumani nuk përmendi emra konkretë, fakti që pjesa më e madhe e arrestimeve ndodhi pikërisht gjatë drejtimit të Prodës ka rikthyer në qendër të debatit çështjet e kontrollit të brendshëm, përzgjedhjes së personelit dhe përgjegjësisë komanduese.
Nga arrestimet e shefave të krimeve, drejtuesve të kufirit, deri te efektivët e implikuar në trafik droge dhe korrupsion, tabloja e paraqitur është ajo e një policie të dobët dhe të infektuar nga elementë kriminalë. Në shumë raste, SPAK ka bërë atë që vetë policia, nën drejtimin e Prodës, nuk ka arritur dot: identifikimin dhe goditjen e efektivëve të korruptuar.
Ndërsa Dumani përgatitet të lërë detyrën më 18 dhjetor, mesazhi i tij merr formën e një paralajmërimi të qartë për drejtimin aktual të policisë: “Askush nuk është i paprekshëm.” Ky mesazh bëhet edhe më domethënës në një klimë ku skandalet po mbizotërojnë mbi rezultatet, përfshirë edhe arrestimin e Altin Morinës, mikut të ngushtë të kryepolicit Proda—ngjarje që çoi në shkrirjen e komisariatit nr. 2 në Tiranë, pasi efektivët zbatuan ligjin duke prekur rrethin e tij të afërt.

