Mblidhet sot Kryesia e Partisë Demokratike për të vendosur mbi datën e fillimit të protestave, si pasojë e paralajmërimeve të bërë dje nga Sali Berisha gjatë turit të tij me qytetarët në Elbasan.

Kreu i PD-së e cilësoi farsë procesin e zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar se “zgjedhjet nuk janë zgjedhje kur qeveria përdor të gjithë forcën e ekzekutivit, me dhjetëra mijëra punësime të përkohshme, leje ndërtimi, certifikata pronësie e leje legalizimi për të marrë votat”. Ai njoftoi se nesër në drekë Kryesia e PD-së do të vendosë “me urgjencë për fillimin e revoltave e protestave”, duke shtuar se aksionet nuk do të ndalen deri në largimin e qeverisë.

Berisha u shpreh gjithashtu: “Mund të mendojë ndonjëri se njerëzit nuk janë gati, por ata që janë gati do ngrihemi. Po 3,000 shqiptarë janë gati të dalin dhe të përballen me ta nesër. Dhe do të shtohemi. Nuk mund të rrimë më pasive në funksion të një farse. Janë diktaturat ato që përfundojnë aty ku e kanë vendin, jo ne që luftojmë për ideale të larta njerëzore.”

Kreu i PD-së bëri thirrje edhe për mobilizim të të rinjve: “Duhet të bëjmë gjithçka për organizimin tonë dhe të rinjtë. Të rinjtë përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës, ndaj duhet të angazhojmë të rinjtë tanë në aksionet tona.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *