Një debat i fortë është regjistruar në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike mes kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe deputetit Ervin Salianji. Shkak përplasja u bë diskutimi mbi rolin e ish-kreut të PD-së së Kavajës, Hysen Kadiu, i cili rezultoi më i votuari në procesin e Primareve, por nuk u përfshi në listat e sigurta të kandidatëve.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se Kadiu kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara gjatë fushatës zgjedhore, duke lënë të kuptohet se mungesa e tij në terren kishte ndikuar në vendimmarrje. Kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga Salianji, i cili theksoi se Kadiu ka qenë aktiv në fushatë dhe se ekzistojnë prova publike për angazhimin e tij në terren.

Debati u ashpërsua kur Berisha e cilësoi Salianjin si “gënjeshtar”, duke sjellë reagimin e menjëhershëm të deputetit demokrat, i cili i kërkoi kryetarit të PD-së të tërhiqte fjalën. Salianji paralajmëroi se, nëse etiketa nuk tërhiqej, ai do të largohej nga mbledhja, duke kërkuar respekt institucional.

Burime nga takimi shprehen se Berisha këmbënguli se Kadiu nuk ka qenë aktiv në fushatë, duke deklaruar se disponon mesazhe personale nga vetë ai. Ndërkohë, Salianji theksoi se falë kontributit të Kadiut, PD ka arritur të kryesojë me rreth 2800 vota në zonë.

Në fjalën e tij, Salianji akuzoi drejtuesit se po zhvendosin vëmendjen nga çështjet kryesore, duke theksuar se qëllimi i tij në mbledhje ishte të denonconte aferat e qeverisë dhe jo të hapte debate të brendshme në parti. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të vijojë të denoncojë çdo bashkëpunim me qeverinë, pavarësisht kostos politike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *