Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar falje publike për firmat e vendosura nga deputetë demokratë në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Endri Shabani.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e organizuar në Elbasan, Berisha e cilësoi këtë veprim si një gabim, duke theksuar se firmat janë tërhequr. Ai pranoi se situata ka shkaktuar pakënaqësi te mbështetësit e Partisë Demokratike dhe kërkoi ndjesë për këtë vendim.
“Ne bëjmë edhe gabime. Gabimi ishte shumë i madh. E kuptoj që jeni të mërzitur për këto firma ndaj Shabanit, avokatit të Edi Ramës, dhe ju kërkoj ndjesë juve dhe të gjithë shqiptarëve për ato firma që u vunë”, u shpreh Berisha.
Deklarata e kreut të PD-së vjen mes debateve politike për procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe qëndrimeve të opozitës ndaj mazhorancës qeverisëse.

