Ervin Salianji ka kërkuar hapur largimin e Nokës nga posti.
“Jep dorëheqjen Flamur, ke shkatërruar partinë dhe je përgjegjës për atë që ndodhi me Avokatin e Popullit”, mësohet të ketë deklaruar Salianji në mbledhjen e Kryesisë.
Burime bëjnë me dije se mbledhja është shoqëruar me ngritje zëri dhe përplasje të herëpashershme mes drejtuesve. Nga ana e tij, Flamur Noka i është kundërpërgjigjur Salianjit duke e akuzuar se, me veprimet e tij, po bashkëpunon me kundërshtarët politikë.
“Me këtë që po bën ti, je duke bashkëpunuar me ata që kemi përballë”, mësohet t’i ketë thënë Noka.
Debatet vijnë në një moment kur Salianji ka ndërmarrë gjatë javëve të fundit një tur takimesh me simpatizantë dhe anëtarë të PD-së në disa qytete të vendit. Këto takime janë cilësuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, si nisma personale dhe pa lidhje zyrtare me partinë, ndonëse Salianji ka qenë i pranishëm në foltoren e fundit të PD-së në bulevard.
Para nisjes së mbledhjes së Kryesisë, Berisha njoftoi gjithashtu organizimin e një proteste kombëtare kundër qeverisë, e cila pritet të mbahet më 22 dhjetor.

