Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e tre personave në Vlorë, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së shtetasit nga Kosova, Fisnik Xhaka, 39 vjeç.
Të arrestuarit janë identifikuar si Vilson Agaj, Orest Corapaj dhe Julian Zogaj. Sipas pamjeve filmike të siguruara nga grupi hetimor, 39-vjeçari shihet duke qëndruar për periudha të gjata në një lokal, së bashku me një mik të tij dhe një nga personat e arrestuar.
Këto pamje kanë ngritur pikëpyetje mbi versionin e pengmarrjes së pretenduar, pasi në video personat duken se komunikojnë lirshëm dhe njihen mes tyre, çka bie ndesh me pretendimin për mbajtje me forcë.
Sipas palës mbrojtëse, Fisnik Xhaka kishte ardhur në Vlorë me valixhe dhe sende personale, me qëllim që të qëndronte aty për një periudhë kohe. Denoncimi për pengmarrje, sipas avokatëve, është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi.
Mbrojtja pretendon gjithashtu se 39-vjeçari u kërkonte para familjarëve për të shlyer një borxh, për të cilin kishte dalë garant, dhe se kjo situatë është keqinterpretuar si pengmarrje.
Në banesën ku dyshohet se qëndronte 39-vjeçari është gjetur edhe valixhja me rrobat dhe veshjet personale të tij, fakt që sipas mbrojtjes përforcon pretendimin se ai kishte shkuar aty me vullnetin e tij.
Ndërkohë, një tjetër pistë hetimi lidhet me prishjen e pazareve të drogës mes personave të përfshirë, të cilët dyshohet se njiheshin më herët në Suedi. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një pengmarrje të mirëfilltë apo një konflikt tjetër të natyrës kriminale.

