Kryeministri Edi Rama ka treguar një episod tensioni mes Gardës së Republikës dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), gjatë një rrëfimi në podkastin e tij.
Sipas Ramës, agjentë të BKH-së janë paraqitur në ambientet e Kryeministrisë pa pranuar të dorëzojnë armët e shërbimit, duke sjellë një përplasje me Gardën, e cila ka për detyrë sigurinë e institucionit.
“Ca trimosha të BKH erdhën te Kryeministria, nuk pranonin të linin patllaken,” – u shpreh Rama, duke ironizuar qëndrimin e agjentëve.
Rama theksoi se rregullat e sigurisë janë të njëjta për të gjithë dhe se askush nuk mund të hyjë i armatosur në institucionet shtetërore pa respektuar procedurat e përcaktuara.
Deklarata e tij vjen në një klimë tensionesh të vazhdueshme mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut dhe strukturave të varësisë së tij.

