Tensione të forta u regjistruan pasditen e sotme gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, e thirrur nga Adriatik Lapaj. Gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë, një qytetar mbeti i lënduar, ndërsa në vendngjarje u kërkua me urgjencë ndërhyrja e ambulancës.
Lapaj akuzoi drejtpërdrejt policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve, duke përdorur tone të ashpra dhe duke i quajtur efektivët “gangsterë me uniformë”. Në pamjet dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes, dëgjohen thirrje për ndihmë, ndërsa protestuesit kërkojnë ndihmë mjekësore për personin e lënduar.
Sipas raportimit të gazetarit Marsel Rupi, qytetari ka pësuar thyerje të këmbës, pasi gjatë përplasjes është shkelur nga efektivët e policisë. Një protestuese shprehet se gjendja e tij është edhe më e rënduar, pasi vuan nga probleme me zemrën, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Situata para Kryeministrisë mbeti e tensionuar për disa minuta, ndërsa ngjarja pritet të pasohet nga reagime të tjera politike dhe institucionale.

