Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas paraqitjes së tij në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, ndaloi për një prononcim për mediat. Ai komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me kontrollet e kryera nga hetuesit e BKH-së në ambientet e Kryeministrisë.
Sipas Berishës, kryeministri e ka mbajtur të fshehtë për më shumë se 20 ditë këtë veprim, ndërsa e bëri publike vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij i dha “zemër” Ramës dhe i shërbeu si garanci në rastin e ministres Belinda Balluku.
“Me patllake dërrase, se patllake të vërteta nuk do kenë më, pasi e tmerruan kryeministrin. Rama e mbajti të fshehtë për mbi 20 ditë shkuarjen e agjentëve të BKH në Kryeministri dhe e nxori në publik vetëm pas vendimit antikushtetueses. Kjo i dha zemër Ramës. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbyllet çdo mundësi për hetimin e ministrave. Ai mori garanci për këtë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se, sipas tij, pa pezullim nga detyra nuk lejohet as imuniteti dhe as arrestimi i ministrave, ndërsa theksoi se masa e vetme që i kishte mbetur Prokurorisë ishte pezullimi, por edhe kjo u bllokua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Një akt i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë”, përfundoi Berisha.

